Daja pas barazimit me Pafos: Në Qipro do të jetë më e vështirë, por nuk kemi humbur shpresat!
Dinamo barazoi 1-1 ndaj Pafos në ndeshjen e parë të play-off-it të Conference League, duke e lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Qipro javën e ardhshme. Pas ndeshjes, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, foli për Supersport, ku vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe veçanërisht reagimin në pjesën e dytë.
“Pafos është një ekip i ndërtuar me cilësi dhe financa të mira. Lojtarët tanë kanë shpirt sakrifice dhe në pjesën e dytë kemi qenë superiorë”, u shpreh Daja.
Trajneri i Dinamos foli edhe për golin e pësuar, duke e cilësuar penalltinë si një moment të shmangshëm. Daja u ndal gjithashtu te kartoni i verdhë i kapitenit Bruno Dita, i cili do të mungojë në ndeshjen e kthimit.
Përveç Ditës, Dinamo do të ketë të padisponueshëm edhe Vilën dhe Manellarin. “Do të përpiqemi të rikuperojmë sa më shumë të jetë e mundur”, deklaroi Daja.
Tekniku dinamovit shpjegoi edhe situatën me Hekuran Berishën, i cili humbi disa raste për shënim. Sipas tij, sulmuesi i ri ka cilësi për të luajtur në nivele më të larta.
Në fund, Daja komentoi edhe marrëdhënien me trajnerin e Pafos, Ricardo Sá Pinto, duke zbuluar arsyen pse nuk i dha dorën pas ndeshjes.
“Nuk dua ta komentoj. Sa herë ktheja kokën, e shikoja duke bërë gjeste. Nuk kam qejf të merrem”, tha Daja.
Barazimi e mban Dinamon në garë, por sfida në Qipro pritet të jetë shumë më e vështirë.
KOHA JONË SONDAZH

