
Lamine Yamal po zhvillon një tjetër sezon të jashtëzakonshëm me fanellën e Barcelonës. Talenti spanjoll vazhdon të jetë vendimtar në lojën e katalanasve, ndërsa me asistimin e fundit ka arritur në kuotën e 12 pasimeve për gol në të gjitha kompeticionet, duke u bërë lojtari me më shumë asistime në pesë ligat kryesore të Evropës.
Yamal ka lënë pas edhe sulmuesin e Bayern Munich, Harry Kane, i cili numëron 11 asistime. Sipas raportimit të Mundo Deportivo, futbollisti i Barcelonës ka regjistruar tetë asistime në La Liga dhe katër në Champions League. Pas tij renditet Kane me 11, ndërsa Tufan, Nico Paz dhe Grull kanë nga tetë asistime.
Asistimi i fundit i Yamal erdhi në përballjen ndaj Atletico Madridit. Spanjolli shërbeu për Fermín López, i cili realizoi golin e tij të dytë personal dhe kompletoi përmbysjen e Barcelonës në këtë sfidë.
Kontributi i 18-vjeçarit ndaj Atletico Madridit nuk u kufizua vetëm te asistimi. Yamal ishte lojtari më i suksesshëm në driblime, me gjashtë të tilla të realizuara. Ai krijoi gjithashtu shtatë raste për gol, regjistroi tri krosime dhe kompletoi 13 pasime në fazën sulmuese, ndërsa pati sukses edhe në dy ndërhyrje mbrojtëse.
