E krahasojnë me George Best, Kvaratskhelia kandidat për ‘Topin e Artë’: Krenar, dua të frymëzoj fëmijët!
Khvicha Kvaratskhelia po përjeton një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij. Sulmuesi i Paris Saint-Germain është përfshirë në listën prej 30 futbollistësh të nominuar për “Topin e Artë”, çmim që do të akordohet më 26 tetor. Për yllin gjeorgjian, vetë prania mes emrave më të mëdhenj të futbollit botëror është një arritje e veçantë.
“Vetëm të jesh kandidat për Topin e Artë është një kënaqësi. Të jesh mes këtyre lojtarëve në garë është diçka shumë e veçantë. Ndihem sikur kam bërë diçka të madhe gjatë vitit të fundit. Jam shumë i lumtur dhe tani të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Kvaratskhelia.
25-vjeçari vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, ku u shpall “lojtari i sezonit” në Champions League 2025-26, ndërsa me paraqitjet e tij ka marrë vëmendje të madhe në arenën ndërkombëtare.
Kvaratskhelia foli edhe për rëndësinë që ka për të përfaqësuar Gjeorgjinë, një vend me një popullsi relativisht të vogël.
“Jam i lumtur që përfaqësoj Gjeorgjinë. Fëmijët e vegjël duhet të kuptojnë se edhe nëse vijnë nga një vend i vogël, mund t’i arrijnë këto gjëra”, deklaroi ai.
Në prag të përballjes me Irlandën e Veriut, emri i Kvaratskhelias është krahasuar edhe me legjendën George Best, fituesin e Topit të Artë në vitin 1968.
“E njoh George Best. Më kanë thënë edhe më parë se mënyra ime e lojës u ngjan disi. Nuk e di nëse është e vërtetë, sepse ai ishte një nga më të mirët në historinë e futbollit. Për mua është kënaqësi dhe jam krenar”, tha sulmuesi.

