Fullkrug zgjedh numrin e mallkuar te Milani, kanë dështuar edhe Pato e Torres
Milani po lëviz me ritëm të lartë në prag të vitit të ri. Ditën e djeshme, klubi kuqezi ka mirëpritur zyrtarisht qendërsulmuesin e ri, Niclas Füllkrug. Sulmuesi gjerman kreu vizitat mjekësore dhe më pas zhvilloi një seancë stërvitore të personalizuar në Milanello. Objektivi i klubit është i qartë: ta ketë të gatshëm dhe të aktivizueshëm nga Max Allegri që në ndeshjen e parë të vitit 2026.
Vëmendje të veçantë ka tërhequr edhe zgjedhja e numrit të fanellës nga ana e Füllkrug. Gjermani ka vendosur të mbajë fanellën me numrin 9, një zgjedhje që tregon personalitet dhe guxim, por që njëkohësisht sjell me vete edhe peshën e asaj që tifozët e Milanit e quajnë prej vitesh “mallkimi i numrit 9”.
Bëhet fjalë për një fanellë historike, e veshur dikur nga legjenda si Marco van Basten dhe Filippo Inzaghi. Pas largimit të “Super Pippo”-s, autor i 126 golave në 300 ndeshje, sulmuesit që kanë trashëguar numrin 9 kanë pasur vështirësi të mëdha për të lënë gjurmë. Alexander Pato, Fernando Torres, Alessandro Matri, Mattia Destro, Luiz Adriano, Gianluca Lapadula dhe André Silva janë shembuj të qartë të kësaj periudhe jo fort të suksesshme.
Tani sfida i takon Füllkrug. Milani shpreson që sulmuesi gjerman të thyejë këtë tabu dhe t’i rikthejë lavdinë fanellës më të rëndë të repartit ofensiv kuqezi.
KOHA JONË SONDAZH

