Futbollisti i Cagliarit mbytet në pishinë, ende në terapi intensive
Yael Trepy, futbollisti 20-vjeçar i Cagliarit është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet në terapi intensive, pasi për pak sa nuk u mbyt në një pishinë gjatë qëndrimit të tij në Sardenjë.
Ngjarja ndodhi në një vilë, ku Trepy po kalonte disa ditë pushimi pas fitores 1-0 të Cagliarit ndaj Arezzos në Kupën e Italisë. Sipas raportimeve të mediave italiane, futbollisti nuk është notar i mirë dhe përfundoi në pjesën e thellë të pishinës.
Situata u përkeqësua kur 20-vjeçari humbi ndjenjat. Ai u nxor nga pishina dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit, ndërsa më pas u shtrua në repartin e terapisë intensive në Spitalin Civil “Santissima Annunziata” në Sassari.
Cagliari ka reaguar zyrtarisht për gjendjen e lojtarit, duke konfirmuar se klubi është në kontakt të vazhdueshëm me mjekët dhe familjen e tij.
“Yael Trepy aktualisht është i shtruar në Spitalin Civil Santissima Annunziata në Sassari, ku ndodhet në terapi intensive. Klubi është në kontakt të vazhdueshëm me strukturën shëndetësore dhe familjen e lojtarit dhe po monitoron nga afër ecurinë e gjendjes së tij”, thuhet në komunikatën e klubit.
Trepy, i lindur në Francë dhe i transferuar në Itali në vitin 2022, është pjesë e Cagliarit. Sezonin e kaluar ai regjistroi tetë paraqitje në Serie A, duke shënuar një gol.
Futbollisti kishte luajtur 53 minuta në ndeshjen ndaj Arezzos, përpara se të zëvendësohej. Aktualisht, e gjithë vëmendja është te gjendja e tij shëndetësore, ndërsa Cagliari dhe familjarët presin me ankth përditësimet e mjekëve.

KOHA JONË SONDAZH

