
Barazimi spektakolar 4-4 mes Manchester United dhe Aston Villas ka lënë gjurmë edhe jashtë fushës. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri Michael Carrick u përfshi në një debat të tensionuar me një gazetar, i cili e pyeti për të ardhmen e tij në krye të “Djajve të Kuq”.
Pozita e vështirë në renditjen e Premier League dhe rezultatet zhgënjyese kanë shtuar pikëpyetjet rreth vazhdimësisë së trajnerit anglez. Gjatë konferencës, një prej gazetarëve e pyeti nëse Carrick po e konsideronte mundësinë e largimit nga detyra.
Tekniku nuk e priti mirë këtë pyetje dhe vendosi t’ia kthente atë gazetarit, duke krijuar një moment të sikletshëm përpara mediave. Kur gazetari këmbënguli se duhej diskutuar situata e vështirë e klubit, Carrick reagoi fillimisht me ironi: “Vërtet?”
Më pas, ai vijoi duke ia kthyer pyetjen bashkëbiseduesit: “Por ti e the. Çfarë mendon ti?”
Ky shkëmbim replikash tregoi edhe një herë tensionin që po shoqëron Manchester United në një sezon shumë larg pritshmërive, ku rezultatet dhe pozicioni i trajnerit janë kthyer në temë të vazhdueshme diskutimi.
Pavarësisht presionit në rritje, Carrick ka përsëritur se nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe se synon të vazhdojë punën për të ndryshuar situatën.
“Nuk kemi fituar mjaftueshëm ndeshje, por pres të vazhdoj përpara dhe të punoj mbi aspektet ku jemi përqendruar. Kemi treguar shumë gjëra pozitive në futbollin e sotëm, duhet të korrigjojmë disa gabime dhe të fitojmë”, deklaroi trajneri.
Pra, për momentin nuk ka sinjale për një dorëheqje të Carrick. Ai mbetet i vendosur të kërkojë një kthesë në rezultatet e skuadrës, edhe pse presioni mbi stolin e Manchester United po bëhet gjithnjë e më i madh.
