Guardiola: Do ta studioj Dortmundin, Haaland një nga më të mirët në botë!
Manchester City nuk e ka fituar kurrë trofeun e Champions League, teksa ky shihet si sezoni i duhur. Shorti e ka vendosur përballë Dortmundit në çerekfinale, një kundërshtar që është i vështirë sipas Pep Guardiolës. Strategu spanjoll ndërkohë e ka cilësuar Haaland-n si një nga më të mirët në botë.
“Nuk e kam ndjekur shumë Dortmundin këtë sezon, por do kem mundësi t’i studioj mirë tani që vijnë ndeshjet e kombëtareve. Ata janë realisht një skuadër e mirë. Kundërshtar i vështirë, por nuk ka rivalë të thjeshtë në këtë fazë.
Synojmë të zhvillojmë lojëra të mira në të dy ndeshjet. Kualifikohemi nëse luajmë mirë, e njëjta gjë edhe për Dortmund, nuk ka sekrete. Haaland? Momentalisht, duke marrë parasysh edhe moshën e tij, Haaland është një nga sulmuesit më të mirë në botë.
A do doja ta kisha në skuadrën time? Ju e dini shumë mirë që nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetje. Ai është një futbollist i Dortmundit, kështu që nuk kam një koment, pasi nuk më pëlqen as kur të tjerët flasin për djemtë e mi“, deklaroi Guardiola.
KOHA JONË SONDAZH

