Gustav Håkansson, “Gjyshi i Çelikt”, që u refuzua të garojë për shkak të moshës dhe hyri në pedalim duke fituar

Albert Vataj 
Në një botë ku gjithçka matet me shpejtësinë, rininë dhe performancën, nganjëherë shfaqet ndonjë siluetë e befasishme që sfidon çdo normë dhe ngre në këmbë frymën njerëzore, duke dëshmuar se nuk janë vitet ato që përcaktojnë caqet e së mundshmes, por janë ëndrrat. Një prej atyre që guxoi të hyjë në histori nga holli i famës dhe ti tregojë botës se e drejta për të besuar te fitorja nuk e braktisë kurrë një shpirt gare, është Gustav Håkansson, ose siç e quajtën me dashuri dhe admirim, “Stålfarfar”, “Gjyshi i Çelikt”.
Në vitin 1951, ndërsa të tjerët i thurnin viteve të pleqërisë himne të dorëzimit, Gustav, 66 vjeç, kishte një plan tjetër. Ai dëshironte të marrë pjesë në Sverigeloppet, një maratonë çiklizmi prej 1,000 miljesh që shtrihej nga Haparanda në veri të Suedisë deri në Ystad në jug. Por organizatorët ia pamundësuan përmbushjen e kësaj ëndrre plaku. Cila ishte arsyeja pas kësaj mbyllje refuzimi? Po, ishte “shumë i vjetër” për një sfidë të tillë të forcës dhe rezistencës. Kufiri maksimal i atyre që garonin ishte 40 vjeç.
Por Gustav nuk e njihte turpin e refuzimit, as nuk u dha rregullave dhe procedurave të burrokratëve të sportit. Me një biçikletë të vjetër, me një numër të improvizuar, një zero e kuqe, që nuk simbolizonte asgjë tjetër përveçse një sfidë të pastër, ai nisi garën vetëm një minutë pas çiklistit të fundit zyrtar.
Pa mbështetje, pa mekanikë, pa sponsorë. Vetëm ai, pedalet dhe rruga, ambicia dhe shpirti i paepur i sfidës dhe ngulmi për të çuar në skaj limitet e egos dhe moshës. U tha se në disa segmente pedaloi pa fjetur për tri ditë rresht. Në fund, e përfundoi garën i pari, për 6 ditë, 14 orë e 20 minuta, një ditë të tërë përpara çdo pjesëmarrësi zyrtar.
Kjo fotografi e rrallë, e përshkruan më shumë se çdo kronikë. Një burrë me mjekër të gjatë të thinjur, me veshje modeste, shtyn biçikletën e tij pranë një barriere rruge. Nuk është thjesht një çiklist. Është një simbol i këtij sporti. Një pohim i heshtur, por i thellë, se njeriu nuk matet me vitet që mban mbi supe, por me ëndrrat që refuzon t’i braktisë.
Gustav jetoi deri në moshën 101-vjeçare. Vdiq në vitin 1987, por nuk është harruar. Ai nuk la pas vetëm një rekord, por një dëshmi të gjallë se kur vullneti bëhet rrugë, moshës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të të ndjekë nga pas.
Në një epokë që nxit të rinjtë të garojnë dhe të moshuarit të heshtin, le të jetë figura e Gustav Håkansson-it një kujtesë se çdo jetë ka potencialin të shkëlqejë, nëse zemra nuk ndalet së pedaluri.

SHKARKO APP