Zoti Klosi, mund t’ia kishit kursyer kryeministrit momentin me Agasin Senior!
Politika ka një rregull të pashkruar: jo çdo gjë që është e lejueshme është edhe e mençur.
Sot në Durrës, në aktivitetin festiv të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ndodhi një nga ato episode që në politikë nuk prodhojnë domosdoshmërisht krizë, por krijojnë pyetje. Dhe pyetjet nganjëherë zgjasin më shumë se vetë aktiviteti.
Në sallë ishte kryeministri Edi Rama. Organizimi politik i aktivitetit mbante vulën e sekretarit të përgjithshëm të PS, Blendi Klosi. U ndanë vlerësime, u kujtuan emra, u fol për histori dhe kontribute.
Mes tyre u nderua edhe ish-deputeti Bardhyl Agasi.
Dhe pikërisht aty fillon problemi. Jo juridik, por politik.
Sepse Bardhyl Agasi nuk është sot thjesht një ish-deputet socialist, realisht i respektuar si socialist. Ai është edhe babai i një personi që ndodhet në qendër të një debati publik shumë të fortë dhe për të cilin ekzistojnë zhvillime hetimore të bëra publike. Dhe ku SPAK e ka shpallur në kërkim për ta arrestuar si kreun e një grupi të strukturuar kriminal. Kjo nuk e bën babain përgjegjës për të birin. Në një shtet ligjor përgjegjësia është individuale dhe prezumimi i pafajësisë nuk negociohet.
Por politika nuk matet vetëm me Kod Penal.
Politika matet me simbolikë.
Dhe këtu duket se organizatorët gabuan në leximin e momentit.
Sepse askush nuk kërkonte përjashtimin e Bardhyl Agasit nga historia e PS. Askush nuk kërkonte mohimin e kontributit të tij. Por ndoshta mund të gjendej një formë më e kujdesshme që vlerësimi të mos merrte ngarkesën e një mesazhi publik të gabuar.
Sepse në perceptimin publik, politika nuk lexohet me fusnota juridike. Lexohet me imazh.
Dhe imazhi që prodhohet kur një figurë e lidhur familjarisht me një çështje kaq të ndjeshme, e cila nga SPAK quhet kriminale, del në qendër të ceremonisë, nuk kontrollohet më nga organizatorët – por nga publiku. Dhe publiku e përceptoi se ishte kryeministri që ia kishte kërkuar Klosit dekorimin e babait të Gysit.
Nga organizatorët u tha për KJ, pas aktivitetit, se Edi Rama, as që e kishte idenë se kush e si do të dekorohej. Por nëse lexohet reagimi i kryeministrit nga pamjet që qarkullojnë, krijohet përshtypja se as ai vetë nuk ishte plotësisht komod me atë moment. Kishte siklet dhe një reagim jo pozitiv, ndonëse me gjestikulacione në karrike.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pyetja nuk shkon te Rama. Pyetja shkon te ata që e organizuan, ndonëse në rrjetet sociale filloi “kazani” se “Rama shkon në Durrës të dekorojë babain e Gysit”!
Zoti Klosi, ndonjëherë menaxhimi politik nuk matet me sa njerëz mbush sallën. Matet me sa situata të panevojshme arrin të shmangësh.
Sepse ka raste kur një “fletë nderi” e dhënë pa menduar, kushton më shumë politikisht sesa një kritikë e opozitës.
Dhe ndoshta këtë herë, kryeministrit mund t’ia kishit kursyer momentin me Agasin Senior, ndërkohë që Agasi Junior është në kërkim nga SPAK.

KOHA JONË SONDAZH

