“I qetë dhe me personalitet”, mediat italiane vlerësojnë Kristjan Asllanin
Kristjan Asllani po fiton gjithnjë e më shumë besim dhe hapësirë te Interi, duke konfirmuar formën e tij të mirë me një tjetër paraqitje vendimtare. Pas golit të fitores kundër Veronës, mesfushori shqiptar shënoi edhe në suksesin 2-0 të zikaltërve ndaj Torinos në “Grande Torino”, duke vulosur tre pikë të rëndësishme që e afrojnë Interin me Napolin kryesues.
Asllani realizoi golin e dytë të ndeshjes nga pika e penalltisë, duke u treguar i ftohtë dhe i saktë përballë portierit Milinkovic-Savic, i njohur për pritjet e tij të 11-metërshave. Por përveç golit, ajo që bie në sy është pjekuria në menaxhimin e lojës dhe qetësia në ndërtimin e aksioneve.
Mediat sportive italiane e kanë vlerësuar lart performancën e 21-vjeçarit shqiptar:
Tuttomercatoweb: “Rreziku i mbivendosjes me Zielinskin ishte i madh, por Asllani imponoi veten në organizimin e lojës. I saktë edhe nga pika e bardhë, si ndaj Hellas Veronës” – nota: 7
Gazzetta dello Sport: “Shpesh është vënë në diskutim, por reagimi i tij është i fortë. Bashkëpunim i mirë me Zielinskin dhe saktësi në gjeometri” – nota: 7
Tuttosport: “Regji e pastër dhe e qartë, si penalltia e kthyer në gol” – nota: 7
Corriere dello Sport: “Luan me personalitet, ndërton lojën dhe konfirmon sigurinë edhe nga penalltia” – nota: 7
Corriere della Sera: “E bën mirë punën në mesfushë, por ka pak vend për rritje” – nota: 6.5
Linterista.it: “Tregon vullnet të madh, ndonjë pasaktësi për shkak të presionit, por tregon nerva të forta përballë Milinkovic” – nota: 6.5
Me dy gola vendimtarë në dy ndeshje radhazi dhe një prani gjithnjë e më e dukshme në mesfushën e Interit, Asllani po tregon se është gati të jetë pjesë e rëndësishme e projektit të Simone Inzaghit.
KOHA JONË SONDAZH

