Interi ëndërron Nico Paz, por duhet të kalojë pengesën Real Madrid
Interi po përgatitet të përballet dy herë brenda pak ditësh me një nga objektivat e saj kryesorë të merkatos, Nico Paz. Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, fantazisti argjentinas mbetet një dëshirë e madhe për zikaltërit, por aktualisht më shumë një ëndërr sesa një objektiv konkret.
Gjatë muajve të fundit nuk kanë munguar kontaktet, përfshirë takimet mes zëvendëspresidentit të Interit, Javier Zanetti, dhe babait të lojtarit. Megjithatë, planet e klubit italian janë komplikuar që në fillim, si për shkak të vlerës së kartonit të lojtarit, ashtu edhe për klauzolën e riblerjes që zotëron Real Madrid: 9 milionë euro në vitin 2026 dhe 10 milionë në 2027.
Sipas të përditshmes italiane, nuk përjashtohet mundësia që madrilenët të aktivizojnë këtë klauzolë që këtë verë, për ta rikthyer lojtarin në “Santiago Bernabéu” dhe për ta testuar më nga afër, duke përshpejtuar një plan të paracaktuar për të ardhmen. Një skenar alternativ mund të hapet vetëm nëse Como siguron kualifikimin në UEFA Champions League, çka mund ta mbajë Paz edhe një sezon në Itali për të fituar më shumë përvojë.
Nga ana tjetër, Inter mbetet në pritje. Klubi ka në dispozicion një buxhet shtesë të garantuar nga fondi Oaktree Capital Management për një goditje të rëndësishme në merkato, dhe Nico Paz do të ishte profili ideal. Megjithatë, të gjitha sinjalet aktuale tregojnë se e ardhmja e lojtarit është e lidhur ngushtë me planet e presidentit të Real Madridit, Florentino Pérez.
KOHA JONË SONDAZH

