Ismajli drejt kalimit në Turqi, mund të bashkohet me Ernest Muçin
Pas një sezoni të shkëlqyer në aspektin personal, por zhgënjyes për ekipin e tij, me Empolin që ra në Serie B, e ardhmja e mbrojtësit të kombëtares shqiptare Ardian Ismajli mbetet ende e pasigurt.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, gjithnjë e më shumë po përforcohen zërat që e lidhin futbollistin me një transferim jashtë Italisë, konkretisht drejt Superligës turke.
Skuadra e njohur turke Besiktas ka shfaqur interes serioz për shërbimet e Ismajlit dhe pritet që në ditët në vijim të intensifikojë kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit. Mbrojtësi 27-vjeçar ka refuzuar rinovimin me Empolin, duke bërë të qartë synimin për një hap të ri në karrierën e tij, ndërsa kontrata me klubin italian është drejt përfundimit.
Në të kaluarën, Napoli ka qenë një nga skuadrat që e ka monitoruar nga afër situatën e Ismajlit, por deri më tani nuk ka pasur një marrëveshje konkrete. Në këtë kontekst, kalimi te Besiktas duket një opsion shumë i mundshëm.
Nëse transferimi realizohet, Ismajli do të bashkohet me një tjetër kuqezi, mesfushorin ofensiv Ernest Muçi, i cili është pjesë e klubit turk. Megjithatë, edhe e ardhmja e Muçit mbetet në dilemë gjatë kësaj vere, pasi për të ka interes nga disa klube evropiane.
