(Jo) miqësorja, kuqezinjtë shkundin turqit, mediat turke: Natë makthi (FOTO)

Christian Panucci duhet të ndihet krenar për kuqezinjtë. Prova e parë përgatitore për kualifikueset e Europianit të ardhshëm, e trajnerit italian ka rezultuar mëse e suksesshme. Kjo, jo vetëm për rezultatin 3-2 të siguruar në Antalia, në miqësoren ndaj Turqisë vendase prej kuqezinjve, por edhe për skemën sulmuese që kërkoi të aplikonte tekniku italian, duke bërë kështu një ndryshim thuajse drastik nga paraardhësi i tij bashkëkombas, Gianni De Biasi.

Tri sulmues në fushë, me Grezdën dhe Roshin pas shpinës së Armando Sadikut, i dhanë shumë shpejt frytet, teksa Shqipëria dominonte 2-0 në vetëm 39 minuta lojë ndaj turqve, me dy gola të shënuara nga sulmuesi elbasanas. Në fundin e pjesës së parë, përfaqësuesja shqiptare është gjendur në inferioritet numerik, pas kartonit të dytë të verdhë të Memushajt për një ndërhyrje të rëndë me bërryl, e me fillimin e pjesës së dytë pësoi edhe golin e parë.

Por, italiani Panucci nuk mund të mos shfrytëzonte kundërsulmin “vrastar”, e falë aftësive shpërthyese të Eros Grezdës, Shqipëria trefishonte rezultatin, që gjithsesi do të ngushtohej pas rreth një orë loje në 2-3 për kuqezinjtë. Edhe pse në inferioritet numerik, të besuarit e Panuccit, përfshi edhe zëvendësuesit që u hodhën në fushën e blertë në vijim të lojës, arritën të mbronin rezultatin, duke i dhënë një fitore tepër të vyer, edhe pse në një miqësore, kuqezinjve. Një fitore që shton edhe më shumë entuziazmin në radhët e Shqipërisë për të ardhmen.

Swiss Digital Desktop Reklama

Miqësoren me Turqinë, tranjeri Christian Pannuci, e quan sukses. Tranjeri italian ishte i pari që u shpreh i kënaqur por e cilësoi si ndeshje jo shumë miqësore. Ai u shpreh i kënaqur që ekipi ka përqafuar idetë e tija. “Mendoj se deri në momentin e kartonit të kuq, luajtëm një futboll mjaft të bukur dhe u sollëm si skuadër e madhe. Kjo besoj se ishte frut asaj 1 jave punë që bëmë së bashku”, tha ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Trajneri gjeti edhe disa probleme në mbrojtje, që thotë se do të adresohen në vazhdim. “Kemi pësuar dy gola të evitueshëm, por po punojmë që të eliminojmë këto defekte. Gjithsesi, edhe Turqia ka futbollistë shumë të mirë, ndaj është normale të pësosh 2 gola ndaj tyre”, deklaroi Pannucci. Një vlerësim edhe për afrimet e reja dhe jo vetëm për atë që dhanë në fushë. “Jam i kënaqur sepse janë thirrur për herë të parë, por që do të vijojnë të jenë pjesë e Kombëtares, edhe në takimet e ardhshme”, tha Panucci.

 Sadiku: Kuptohem me Roshin dhe Grezdën

U shënoi dy gola turqve dhe ishte një nga lojtarët që vendosi fatin e takimit në miqësoren e zhvilluar në Antalia, por jo i vetmi. Armando Sadiku vlerëson shokët e ekipit. Sigurisht, falenderimi i parë është për Roshin, autori i dy asisteve. “Unë futem në fushë gjithmonë për të dhënë maksimumin dhe për të shënuar, ndonëse jo gjithmonë ia dal ta çoj topin në rrjetë. Me Roshin luaj prej kohësh dhe kuptohemi mjaft mirë. Si ai, ashtu edhe Grezda arrijnë të driblojnë mirë dhe të krijojnë hapësira, ndaj ndihem mjaft mirë, sepse kam më shumë mundësi shënimi”, tha sulmuesi Kuqezi.

Grezda: Golin ja dedikoj babait

Eros Grezda, autori i golit të tretë, tha se golin ia dedikon babait. Talenti foli dhe për të ardhmen e tij, për të cilën tha se merret babai me atë punë. “Ishte një ndjesi e veçantë që të shënonim edhe pse ishim me një futbollist me pak në fushën e lojës. Golin ia dedikoj babait tim dhe jam i lumtur që goli im i solli fitoren kombëtares”,-tha ai. Ndërsa për zërat për Lacion, ai foli por për tranjerin Panucci u shpreh se: “Nuk e prisja atë moment. Isha i emocionuar. Vendi i parë që më shkoi në mendje ishte te pankina, teksa Panucci më hapi duart dhe e përqafova”.

Panucci ka në dorë skuadrën (Notat)

1-Qaka dhe Ajdareviç-Pa notë
2-Memushaj 5.5-Dy ndërhyrje të evitueshme ndaj kundërshtarit, që ndëshkuan më shumë pjesën tjetër të skuadrës, për 50 minuta.
3-Lenjani 6-Në pjesën e parë ishte shumë i koordinuar dhe i pranishëm në lojën e skuadrës, më pas pati rënie fizike, që u reflektua tek aksioni i golit të dytë.
4-Aliji 6.5-Nuk ra në sy pothuajse fare mungesa e minutave, madje rriti shumë nivelin e lojës në të majtë.
5-Ajeti 6.5-Është padyshim ai titullar i mbrojtjes, pavarësisht zgjedhjeve që bën trajneri. I saktë në fundin e lojës, duke evituar golin e barazimit.
6-Veseli 6.5-Shumë pozicional, i fortë në dyluftime dhe me një koordinim të plotë me shokët e tjerë të repartit, me ndërhyrje vendimtare.
7-Hysaj 6.5-Një futbollist që nuk pushon së vrapuari, në të gjithë korsinë e djathtë. Lojtar i nivelit të lartë që kalon mbi nivelin e grupit.
8-Berisha 7-Vendimtar në pjesën e parë me të paktën dy raste një kundër një, të cilat i ka zgjidhur mrekullisht. Pothuajse pa faj në golat e pësuar.
9-Mavraj 7-I pakalueshëm në të gjitha pozicionet e lojës. Një qetësi dhe siguri në veprime që jep garanci, edhe kur kundërshtari është superior.
10-Lilaj 7-Një futbollist i kompletuar që dukej sikur i kishte munguar kësaj skuadre prej kohësh. Kandidat i fortë për titullar në skuadër.
11-Xhaka 7-Është rikthyer në formën e tij më të mirë: vrapim, dyluftime, driblim që kompletuan lëvizjet, edhe kur skuadra ishte në inferioritet.
12-Roshi 7-Futbollisti më në formë i skuadrës. I pakapshëm në lojën një kundër një dhe shumë i saktë në lojën nga krahu i djathtë.
13-Grezda 7-Panucci ka gjetur një sulmues që do të shtojë forcën goditëse, por edhe një futbollist që ndihmon shumë në fazën mbrojtëse.
14-Sadiku 8-Një sulmues i fuqishëm, që mbizotëron në zonën e vogël, duke dominuar mbi kundërshtarin. Një garanci për sulmin e skuadrës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?