Juventus arrin marrëveshjen me trajnerin e ri, sot pritet zyrtarizimi
Në Torino duket se gjithçka është gati për një marrëveshje mes Juventusit dhe Luciano Spallettit. Takimi mes palëve pritet të sjellë “tym të bardhë”, me klubin bardhezi që ka paraqitur një ofertë konkrete: kontratë deri në qershor me rinovim automatik në rast kualifikimi në Champions League.
Sipas raportimeve të mediave italiane, drejtori Comolli është i kujdesshëm pas përvojave të fundit me trajnerët e shkarkuar, ndaj dëshiron një marrëveshje afatshkurtër. Nga ana tjetër, Spalletti kërkon kontratë dyvjeçare, kërkesë që me shumë gjasë do të pranohet.
Zgjedhja e ish-trajnerit të Napolit nuk është e rastësishme. Që nga momentet e para të vështira të Igor Tudorit, drejtuesit e Juventusit kishin vendosur ta testonin terrenin për rikthimin e Spallettit në Serie A, pavarësisht se ai kishte deklaruar publikisht se nuk do të trajnonte më në Itali pas eksperiencës me Napolin. Megjithatë, dështimi me Kombëtaren italiane e ka shtyrë trajnerin nga Certaldo të mendojë për një mundësi të re për t’u rikthyer në skenën e madhe.
Për Spallettin, Juventusi do të ishte kulmi i karrierës, pas eksperiencave me Romën, Interin dhe Napolin. Ai vlerëson pozitivisht potencialin e skuadrës bardhezi dhe është i bindur se mund ta udhëheqë drejt objektivit minimal, kualifikimit në Champions League dhe të garojë denjësisht në Europë.
Klubi synon ta ketë trajnerin në stol që në ndeshjen e fundjavës kundër Cremoneses, ndërsa firmosja e kontratës pritet të ndodhë gjatë ditës së sotme. Nëse, në mënyrë të papritur, marrëveshja do të prishej, alternativa e vetme e përfolur është Raffaele Palladino, por aktualisht kjo mbetet një mundësi shumë e largët.
KOHA JONË SONDAZH

