Juventus kërkon me ngulm skautin e njohur shqiptar, Viktor Bezhani

Epoka e re e Juventusit ka nisur me emërinin Damien Comolli si drejtori i ri i përgjithshëm. Francezi ka filluar të hyjë në mekanizmat e brendshëm të klubit dhe është gati të sjellë ndryshimet e para domethënëse në strukturën drejtuese të “Zonjës së Vjetër”.

Sipas asaj që raporton Tuttosport, një nga lëvizjet e para të Comollit është dëshira për të sjellë në Torino Viktor Bezhani, aktualisht përgjegjës për sektorin e skautingut te Toulouse dhe një ndër bashkëpunëtorët më të besuar të tij. Megjithatë, transferimi i tij në Itali kërkon ende pak kohë, për shkak të ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në klubin francez, i cili së pari duhet të emërojë një president të ri pas largimit të vetë Comollit nga kjo detyrë.

Bezhani do të bëhej pjesë e një “triade” drejtuese te Juventus, përkrah drejtorit teknik dhe atij sportiv, tashmë të emëruar nga Comolli. Këto figura do të kenë rol kyç jo vetëm për merkato, por edhe për organizimin e sektorëve si ai mjekësor dhe i performancës – fusha që po analizohen me kujdes në Torino.

Kush është Viktor Bezhani? Një profil ndërkombëtar me eksperiencë në klube të njohura

Viktor Bezhani, me origjinë shqiptare dhe i lindur në vitin 1985, është një figurë me eksperiencë të gjerë ndërkombëtare në futboll. Karrierën e ka nisur si match analyst në ekipin U-19 të Kroacisë dhe më pas ka punuar si trajner dhe ndihmës trajner te Anorthosis Famagusta në Qipro.

Nga viti 2017 e në vazhdim, ai ka shërbyer në pozicione kyçe në sektorin e skautingut te klube si Legia Warsaw, Brentford, Watford dhe Leicester City, duke u specializuar në zbulimin e talenteve të rinj. Në vitin 2023 iu bashkua Toulouse si drejtor teknik, ku bashkëpunoi ngushtësisht me Damien Comolli.

Për Juventusin, afrimi i Bezhani-t do të përfaqësonte një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të strukturës dhe strategjive të kërkimit të talenteve në nivel global.

SHKARKO APP