Juventus/ Revolucion i madh në verë, 8 lojtarë largohen për të sjellë Gyokeres

Juventusi është gati të ndryshojë fytyrën e skuadrës për sezonin e ri dhe ka një objektiv të madh: transferimin e sulmuesit suedez Viktor Gyokeres nga Sporting Lisbona. Autori i 97 golave në dy sezone, 54 vetëm në edicionin 2024-25, është ëndrra e merkatos për drejtuesit bardhezinj.

Për ta bërë të mundur këtë operacion prej 80 milionë eurosh (70 + 10 në formë bonusesh), klubi synon të financojë blerjen përmes shitjes së tetë lojtarëve që nuk bëjnë pjesë në projektin e ri teknik. Sipas Corriere dello Sport, në listën e largimeve janë: Perin, Kelly, Rugani, Douglas Luiz, Kostic, Mbangula, Vlahovic dhe Milik.

Vlahovic dhe Douglas Luiz mund të sjellin rreth 60 milionë euro në arkat e klubit, ndërsa edhe Milik, Mbangula e Kelly priten të kontribuojnë me rreth 30 milionë të tjera. Perin kërkohet nga Como, ndërsa Rugani dhe Kostic,  aktualisht në Kupën e Botës për Klube me Tudor, pritet të transferohen diku tjetër.

Përveç Gyökeres, bardhezinjtë duan të shtojnë edhe një lojtar krahu për skemën 3-4-2-1 të trajnerit Tudor, me Dodo të Fiorentinës që është një nga synimet. Ndërkohë mbeten gjallë pistat për Kolo Muani (në huazim nga PSG) dhe Jonathan David, për të cilin është ofruar një pagë prej 6 milionë eurosh në vit plus bonuse. Osimhen mbetet një ëndërr, ndërsa Retegui konsiderohet shumë i shtrenjtë.

Falë të ardhurave nga kualifikimi në Champions League (60-70 milionë), Juventus do të jetë në gjendje të përballojë edhe pagesat për Koopmeiners dhe Nico Gonzalez. Revolucioni bardhezi ka nisur dhe premtimet janë të mëdha. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP