Kumbulla: Krenar për Shqipërinë, Chiellinin e kam idhull
Marah Kumbulla ka dhënë një intervistë shumë interesante për gazetën italiane “Corriere Della Sera”. Një nga surprizat më të mëdha të këtij sezoni në Seria A, ka folur për shumë tema duke filluar te kombëtarja jonë, e duke përfunduar te fakti që frymëzohet nga mbrojtësi i Juventusit, Chiellini.
Babai juaj u ka quajtur “shumë serioz” për moshën që keni, ndërsa trajneri Juric ka thënë se “jeni tashmë një burrë”. E gjen veten në këto fjalë?
Jam shumë serioz, është e vërtetë, pro atëherë kur duhet, Di edhe të argëtohem. Babai dhe trajneri kanë dashur të thonë që jam shumë i pjekur për moshën që kam.
Ish-trajneri i Shqipërisë, De Biasi deklaronte se të rinjtë shqiptarë kanë më shumë uri sesa ata italianë. Çfarë mendoni ju?
Le të themi që të rinjtë shqiptarë vijnë nga një kulturë ndryshe, që i lejon ata të kenë më shumë stimuj e më shumë ambicie.
Rrënjët e tua çfarë të japin më shumë?
Traditat dhe historia e popullit tim, më përcjellin një ndjenjë të fortë të përkatësisë. Është një ndjenjë që më shtyn të jap gjithmonë më të mirën.
Çfarë ke menduar kur dëgjove fjalët e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që dërgoi 30 mjekë në Itali?
Jam krenar për një gjest të tillë, në një moment të vështirë për Italinë, që i është gjendur gjithmonë në krah Shqipërisë, kur ajo ka pasur nevojë. Falënderoj Ramën dhe mjekët që kanë ardhur në Itali.
Çfarë ndjesie ju shkakton të luajturit në Serinë A me fanellën e skuadrës që keni luajtur që fëmijë?
Mendoj se është ëndrra e të gjithëve. Të arrish në nivele të larta është shumë e vështirë, por ta bësh këtë me skuadrën që ke nisur të luash futboll që fëmijë, është e papërshkrueshme.
E mban mend herën e parë kur keni thënë “unë dua të bëhem futbollist”?
Isha 10-11 vjeç kur kuptova se ajo që doja të bëja, ishte të luaja futboll. Më pas është gjithmonë e vështirë, por edhe e bukur, të shndërrosh pasionin në profesion.
Cila ka qenë hera e parë që keni thënë “ia dola”?
Kur shënova golin tim të parë në Serinë A, me kokë ndaj Sampdorias. Ishte një moment i pashlyeshëm.
Është e vërtetë që keni mbajtur postierin e Chiellinit në dhomën tuaj, që fëmijë?
Po. Gjithmonë e kam admiruar grintën e tij dhe dëshirën për t’u përmirësuar, Është një luftëtar autentik.
Pas tre klubeve të kreut të renditjes, mbrojtja më e mirë është ajo e Veronës, që në gusht e jepnin të gjithë për të mbaruar. A ishte një stimul më shumë, fakti që konsideroheshit të dobët?
Na ka nxitur të punojmë më shumë se të tjerët, por e dinim që nuk ishim të dobët dhe aq më pak të mbaruar.
Cili është sekreti i këtij soliditeti?
Jemi një grup shumë i bashkuar, si brenda, ashtu edhe jashtë fushe, gjë që na ndihmon të punojmë shumë mirë.
Juric duket një trajner i aftë të nxjerrë diçka special nga futbollistët e tij…
Transmeton mjaft mirë idetë e tij dhe di kur duhet të inkurajojë skuadrën e kur duhet të ulë presionin. E falënderoj gjithmonë për besimin që më ka dhënë, njësoj si Drejtori Sportiv Toni D’Amico, që ishte i pari që besoi te unë, edhe në momentet e vështira.
Çfarë pa Juric te Kumbulla, që edhe ju vetë nuk keni qenë i bindur se e keni?
Shpirtin e garës, që mbase e dija që e kam, por që e kisha humbur disi në vitin e fundit.
Mbrëmja e 8 shkurtit, që ishte edhe ditëlindja juaj e 20-, është e vështir për t’u harruar…
Deri tani është nata më e bukur e jetës time, pasi e kam festuar me fitoren ndaj Juventusit dhe për pak më iku edhe goli (iu anulua nga VAR-i). Pas ndeshjes nuk arrija të flija, për shkak të adrenalinës që kisha brenda vetes. Është një nga ato takime që do t’i mbaj gjithmonë në zemër.
Cili është sulmuesi që ju ka vënë më shumë në vështirësi?
Dybala, për cilësitë fizike dhe teknike që disponon. Shumë i lëvizshëm.
Keni luajtur shumicën e ndeshjeve në qendër të mbrojtjes me tre, ndërsa kohët e fundit jeni spostuar nga e majta. Ju pëlqen më shumë?
Po, më pëlqen shumë, pasi kam edhe një liri më të madhe për të dalë e për të avancuar në sulm.
Keni mësuar diçka të re gjatë këtij izolimi të detyruar?
Kam mësuar të përgatis disa pjata, si rizotoja tradicionale këtu në Verona, me mish të grirë të kripur, sallatë e speca.
Në moshën 20-vjeçare, cila është ëndrra juaj në futboll?
Të luaj në Champions League.
Po si njeri?
Të krijoj një familje dhe të bëj të lumtur njerëzit që më duan të mirën.