”Kur të vijë data e rrogës”, ish-mesfushori i Tiranës sulmon Klafuriçin pas humbjes
Tirana e nisi sezonin e ri të Superiores në kushte të pazakonta, duke zbritur në fushë me një formacion të improvizuar. Bardheblutë nuk mundën të përdornin afrimet e merkatos së verës, për shkak të bllokimit të merkatos nga FIFA.
Pas ndeshjes, trajneri Dean Klafuriç zbuloi se ishte vënë në dijeni për problemin vetëm pak ditë para sfidës. “Të premten e mora vesh që kishim probleme me merkaton”, deklaroi kroati për RTSH, duke e cilësuar formacionin si një zgjidhje emergjente.
Deklarata nuk kaloi pa reagim. Ish-mesfushori i Tiranës, Saimir Patushi, përdori rrjetet sociale për të ironizuar situatën dhe fjalët e trajnerit. “Kur të vijë dita e rrogës do e mësosh edhe ti. Uroj mos të jetë e premte”, shkroi fillimisht Patushi, duke lënë të kuptohet se problemet brenda klubit mund të jenë më të gjera sesa çështja e merkatos.
Thumbimet e tij nuk u ndalën aty. Në vijim, në përgjigje të një komenti tjetër, ish-futbollisti shkroi: “S’e kanë informuar misterin se është te Tirona ti kam ose për vjeshtë”. Nisja e sezonit për Tiranën është shoqëruar jo vetëm me problemet sportive të shkaktuara nga bllokimi i merkatos, por edhe me polemika jashtë fushës.
KOHA JONË SONDAZH


