Luis Suarez mes Liverpoolit dhe tundimit nga Beckham
Sulmuesi uruguaian është një nga lojtarët më të rëndësishëm këtë sezon për Atl. Madrid ku erdhi pothuajse falas pasi u dëbua me force nga Barcelona. Edhe pse këta të fundit janë penduar shumë duke parë golat që ka shënuar nuk e kanë opsion për ta rikthyer teksa lojtari ka kontratë deri në vitin 2022 me “los colchoneros”.
Shtypi spanjoll ka zbuluar dy ofertat e rëndësishme që ka në tryezë bomberi 34-vjeçar për sezonin e ardhshëm dhe që të dyja janë tepër tunduese. E para është ajo e Liverpool që synon ta rikthejë aty ku shkëlqeu në “Stamford Bridge” vite më parë, përpara se të shkonte në Barcelonë, pasi Klopp e shikon si zgjidhjen e problemeve të golave për “The Reds”.
Oferta e dytë është nga Inter Miami, klubi i ngritur nga David Beckham dhe që po synon ta bëjë një ekip të lavdishëm me emra të mëdhenj siç ishin edhe Matuidi e Higuain të afruar vitin e kaluar. Një dyshe Higuain-Suarez do të ishte me të vërtetë një makineri golash dhe pa përmendur anën financiare ku në SHBA do të “mbulohej” me para nga Beckham.
Në Spanjë flasin për një kohë reflektimi nga ana e uruguaianit i cili zyrtarisht ka shmangur çdo koment për të ardhmen teksa në fushë vijon të jetë shumë i rëndësishëm me 19 gola të realizuar këtë sezon me Atleticon, po aq gola sa Benzema.