Messi rinovon me Inter Miami deri në vitin 2028: Më fillim ishte një ëndërr, tani një realitet i bukur!
Fansat e Lionel Messit kanë një arsye të madhe për të festuar. Ylli argjentinas ka zgjatur kontratën me Inter Miami deri në vitin 2028, duke konfirmuar se nuk ka asnjë plan për t’u tërhequr nga futbolli. Me këtë marrëveshje të re, “Pleshti” do të mbetet aktiv të paktën deri në moshën 41-vjeçare.
Në një deklaratë për mediat e klubit, Messi u shpreh i entuziazmuar për vazhdimësinë e projektit në Shtetet e Bashkuara: “Jam me të vërtetë i lumtur që do të vijoj të jem pjesë e këtij projekti. Në fillim ishte një ëndërr, por tani është bërë një realitet i bukur. Që kur kam ardhur në Miami, kam qenë shumë i lumtur dhe ndihem i bekuar që do të vazhdoj të luaj këtu.”
Që prej mbërritjes së tij, Messi është shndërruar në simbolin e Inter Miami-t dhe një figurë kyçe për rritjen e MLS-së. Në 82 ndeshje, ai ka shënuar 71 gola dhe ka dhuruar 37 asistime, duke i dhënë një dimension krejt të ri skuadrës së David Beckham-it.
Edhe Beckham, bashkëpronar dhe CEO i klubit, nuk e fshehu kënaqësinë për rinovimin e legjendës argjentinase: “Qëllimi ynë që në fillim ishte të sillnim në skuadër dhe në qytet lojtarin më të mirë në botë — dhe e arritëm. Jam jashtëzakonisht i lumtur që Leo do të vazhdojë të jetë pjesë e familjes sonë.”
KOHA JONË SONDAZH

