Milan-Juventus fillimisht “betejë” për Champions, më pas për … Lewandowskin
E ardhmja e Robert Lewandowski mund të kthehet në një nga telenovelat më interesante të merkatos verore. Edhe pse duket një operacion i vështirë, ideja për ta parë sulmuesin polak në Serie A nuk është më thjesht një ëndërr.
Sulmuesi 37-vjeçar ka një kontratë që skadon me Barcelona dhe rinovimi nuk është ende i sigurt. Oferta e klubit katalanas për një pagë të reduktuar, rreth gjysmës së asaj aktuale, nuk e ka bindur plotësisht lojtarin, duke hapur skenarë të rinj për të ardhmen e tij.
Në këtë kontekst, agjenti i tij, Pini Zahavi, ka qenë së fundmi në Milano, ku do të ndjekë nga afër ndeshjen Milan-Juventus. Vizita e tij nuk është rastësore, pasi ai ka zhvilluar kontakte me drejtuesit e të dy klubeve për të kuptuar mundësitë konkrete për një transferim të mundshëm.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet paga e lartë e Lewandowskit, që aktualisht arrin rreth 30 milionë euro në sezon me bonuse të përfshira, një shifër e vështirë për t’u përballuar nga klubet italiane, edhe në rast të një uljeje të konsiderueshme.
Pavarësisht kësaj, ideja për të qëndruar në futbollin elitar europian dhe për të pasur ende një rol protagonisti mund të ndikojë në vendimin e lojtarit. Serie A mbetet një kampionat tërheqës dhe një mundësi për Lewandowskin që të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes.
KOHA JONË SONDAZH

