Në shtëpinë e Erling Haaland/ Kafe me shurup panje dhe darka me biftekë gjigantë (VIDEO)
Erling Haaland, sulmuesi norvegjez i Manchester City-t, ka hapur dyert e shtëpisë së tij për fansat, duke inauguruar kanalin e tij në YouTube. Në videon e parë, ylli i Premier League tregon “jetën e përditshme të një futbollisti profesionist”, nga zgjimi në mëngjes, deri në stërvitje dhe darkë.
Shtëpia e Haaland ndodhet në një vilë luksoze mes gjelbërimit të zonës Chesh dhe fsheh shumë kuriozitete. Sulmuesi e nis ditën me një mëngjes hiperproteik, duke ëmbëlsuar kafen me shurup panje, një zakon jo i zakonshëm për futbollistët.
Në kuzhinë bie në sy edhe një ari gjigant pelushi, ndërsa Haaland tregon me krenari aftësitë e tij si kuzhinier, veçanërisht në barbecue-n e mbrëmjes, ku përgatit biftekë të mëdhenj nga një fermë organike.
“Jetoj vetëm që kur isha 16 vjeç, kështu që duhet të di të gatuaj,” shpjegon ai me buzëqeshje. Sot, megjithatë, Haaland e ndan vilën e tij me bashkëshorten Isabel Haugseng Johansen.
Për të kompensuar mungesën e diellit tipike të klimës angleze, futbollisti përdor një pajisje me dritë të kuqe për prodhimin e vitaminës D. Përveç kësaj, ai trajtohet çdo mëngjes në shtëpi nga fizioterapisti italian i Manchester City-t, Mario Pafundi, përpara se të shkojë në qendrën stërvitore të klubit.
Në mbrëmje, para darkës, Haaland bën një banjë me akull për të ndihmuar rikuperimin muskulor, një pjesë thelbësore e rutinës së tij.
“Ka qenë një ditë e bukur. Kam bërë shumë gjëra të mira për trupin tim dhe për punën time si futbollist,” përfundon Haaland në video.

KOHA JONË SONDAZH

