Ronaldinho rikthehet në fushë në moshën 46-vjeçare, mund të ndodhë më 15 nëntor
Ronaldinho mund të rikthehet në fushën e blertë në moshën 46-vjeçare, këtë herë me fanellën e Ravenna-s, në Itali. Sipas raportimeve të mediave italiane, ka nisur numërimi mbrapsht për debutimin e mundshëm të legjendës braziliane, i cili mund të zbresë në fushë në derbin kundër Forlì-t, më 15 nëntor, në orën 17:30.
Klubi i Ravenna-s, që drejtohet nga trajneri Andrea Mandorlini, synon ngjitjen në Serie B. Skuadra ndodhet aktualisht në vendin e dytë të grupit B në Serie C, pesë pikë larg Spezia-s kryesuese.
Sipas gazetës Il Resto del Carlino, përballja me Forlì-n mund të jetë rasti kur Ronaldinho të shfaqet për herë të parë në fushë me skuadrën italiane, duke u dhuruar tifozëve një moment të veçantë.
Ish-ylli i Barcelonës dhe i Milanit konsiderohet një prej futbollistëve më spektakolarë të brezit të tij. Me teknikën, driblimet dhe aftësinë për të bërë diferencën, braziliani fitoi zemrat e miliona tifozëve në mbarë botën. Për Ravenna-n, prania e tij do të përbënte një ngjarje të jashtëzakonshme, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë mediatik.

