S’ka zgjedhje këtë vit në KOKSH, Bezhani: Ministria të ndërhyjë për zgjidhjen e ngërçit
Zgjedhjet në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, nuk do të bëhen brenda këtij viti sipas kreut Viron Bezhani edhe pse në asamblenë e jashtëzakonshme të shkurtit, me pjesmarrjen e ndërkombëtarëve, u vendos diçka e tillë. Nga Komiteti Ekzekutiv i KOKSH, që ka një përplasje me kreun e instucionit Bezhanin, janë thirrur dy asamble të jashtëzakonshme. Ajo statutore e 13 dhjetorit dhe ajo e 23 dhjetorit që është zgjedhore.
“Është me të vërtetë një njoftim, por që është i jashtëligjshëm përsa i përket zgjedhjeve. Njoftimi im zyrtar, që e ka ligji dhe statusi, është 13 dhjetori, për ndryshimet statutore, pasi nuk mund të bësh dot zgjedhoret pa bërë këtë më herët. Duhet të ndryshohet statusi, të firmoset nga ministria, sepse kështu injorohet ministria. Sipas ligjit ministria ka limit deri në 60 ditë për të parë ndryshimet statutore dhe më pas mund të kalohet në asamblenë e jashtëzakonshme zgjedhore”,-tha ai.
Sipas Bezhanit edhe asambleja e 13 dhjetorit për ndryshimet statutore ka shumë mundësi të mos zhvillohet për shkak të situatës me pandeminë. Në fund Bezhani, thotë se për të zgjidhur problemin jo vetëm të KOKSH, pasi një situatë e ngjashme është edhe te peshëngritja, duhet të ndërhyrjë me patjetër Ministria e Arsimit dhe Sportit.