Suarez: Barcelona më zhgënjeu, më thanë se isha i vjetër
Barcelona me siguri që është penduar duke parë formën e Luis Suarez te Atletico Madrid. Sulmuesi edhe pse në moshën 34-vjeçare ka treguar aftësi të shkëlqyera në realizimin e golave, duke ndihmuar Los Colchoneros për të qëndruar në vend të parë.
Në një intervistë për revistën “France Football”, El Pistolero autori i 16 golave në 20 takime me Los Colchoneros në këtë sezon, është rikthyer të flasë për largimin nga Barcelona duke deklaruar se ende nuk arrin ta “përtypë” trajtimin që i bënë drejtuesit e klubit katalanas.
“Ajo që më shqetësoi dhe më bëri të ndjehem keq ishte kur më thanë se isha i vjetër dhe nuk mund të luaja më në një nivel të lartë, të përballesha kundër ekipeve të forta. Kjo është ajo që nuk më pëlqeu. Nëse nuk do të kisha bërë asgjë për një klub si Barcelona për 3-4 sezone, unë do e kisha kuptuar vetë. Por unë po shënoja çdo vit mbi 20 gola me ata. Gjithmonë kisha statistika të tillë, vija direkt pas Lionel Messit.
Tani mund ta shohim të gjithë se nuk është e lehtë të luash me Barcelonën. Shumë lojtarë që kanë firmosur nuk kanë nivelin që ata prisnin prej tyre. Unë luajta për gjashtë vite duke ruajtur të njëjtin nivel dhe duke qenë në lartësinë e pritshmërive. Gjërat kanë ndryshuar atje, klubi kishte nevojë për ndryshime. Unë e pranova ndryshimin.
E vetmja gjë që më mërziti ishte mënyra se si ndodhi. Mendoj se e kam merituar një farë respekti. Ishte një vendim që nuk e parandaloja dot. Ndjeva sikur nuk po më llogarisnin më, kështu që me krenarinë time i thashë vetes se do të vazhdoja të tregoja se sa vlej. Kjo ishte arsyeja pse më pëlqeu ideja të shkoja në një ekip konkurrues si Atletico Madrid”, deklaroi Suarez.