Suarez dhe Benzema, Derbin e Madridit “e fiton” … Barcelona (VIDEO)
La Liga është më e hapur se kurrë këtë sezon. Derbi i Madridit mes Atleticos dhe Realit u mbyll në barazim 1-1, duke mbajtur distancën prej 5 pikësh mes tyre, ndërkohë që ky rezultat i buzëqesh më shumë Barcelonës. “Los Colchoneros” e nisën mjaft mirë ndeshjen duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 15-të me Luis Suarez. Uruguaiani është i pamëshirshëm brenda zonës pas një pasimi të Llorentes.
Reali shtoi ndjeshëm aksionet sulmuese, teksa në fundin e pjesës së parë pretendoi për një penallti pas një prekje të topit me dorë në zonë nga Hermoso. Arbitri Alejandro Hernandez e pa disa herë me përsëritje aksionin me VAR, duke e cilësuar si të pamjaftueshme për 11-metërsh. Në fillimin e fraksionit të dytë Carrasco pas një veprimi të bukur në zonë vendoset përballë portierit Courtois, por ky i fundit arrin që ta ndalë me trup. Dy minuta më pas një rast të ngjashëm do të kishte edhe Luis Suarez, por sërish portieri belg arrin që ta ndalë.
Në krahun tjetër, 10 minuta nga fundi, Karim Benzema tenton dy herë brenda zonës që të shënojë, por Oblak është i pakalueshëm në katërkëndëshin e tij. Gjithsesi dy minuta nga fundi sulmuesi francez bën gjithçka mirë në zonë dhe pas një kombinimi me Casemiron e dërgon topin në rrjetë. Pas këtij barazimi Atletico mbetet në krye me 58 pikë, 5 më shumë se Reali, por ka Barcelonën vetëm dy pikë larg. Skuadra e Simeones mund të ngushëllohet me faktin që ka edhe një tjetër sfidë për të rikuperuar në kampionat, teksa në javët e fundit nuk ka pasur stabilitetin e nevojshëm duke humbur shumë pikë ndaj Levantes. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

