Superiorja/ Skënderbeu kundër Vllaznisë, duel mbijetese në Flamurtari-Tirana
Java e 32-të e kategorisë Superiore nuk do të rezervojë vetëm superduelin mes Partizanit dhe Kukësit, por do të pasqyrojë edhe takime të tjera interesante. Skënderbeu do të presë në Korçë Vllazninë. Bardhekuqtë janë të përfshirë nga lufta për titull dhe nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç 3 pikëve në duelin ndaj shkodranëve. Mungesat nuk janë të pakta për trajnerin Ilir Daja, kur përveç Lilajt dhe Leonit Abazit që me shumë gjasa e kanë mbyllur sezonin, nuk do të zbresin në fushë as të skualifikuarit James Adeniyi dhe Nuredin Orelesi, në të njëjtën kohë jashtë për shkak dëmtimi është Tefik Osmani , ndërkaq që edhe Nimaga ka probleme fizike. Nuk do të jetë e thjeshtë për teknikun 50 vjeçar të përpilojë një formacion për këtë takim. Në anën tjetër Vllaznia synon vendin e 4-ët dhe vjen pas hapit fals ndaj Korabit, pra kërkon të ringrihet në këtë transfertë të vështirë.
Një takim mjaft i rëndësishëm do të luhet në Vlorë mes Flamurtarit dhe Tiranës. Kuqezinjtë po kalojnë një moment pozitiv pas fitoreve ndaj Luftëtarit e Vllaznisë dhe barazimit në Durrës. Për këtë ndeshje trajneri Duro nuk do të ketë shërbimet e kapitenit Telushi i cili është i pezulluar. Në anën tjetër bardhebluitë janë në krizë të plotë përsa i përket rezultateve , ku nuk fitojnë në kampionat prej 19 dhjetorit, megjithatë paraqtija e mirë në derbi pavarësisht humbjes ka sjellë optimizëm në kampin kryeqytetas. Flamurtari dhe Tirana kanë të njëjtën kuotë pikësh në renditje , 32.
Laçi do të presë Luftëtarin. Kurbinasit nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç fitores nëse kërkojnë të qëndrojnë në kategorinë superiore, në një kohë që gjirokastritët kanë ambicie të mëdha për të ruajtur pozicionin numër 4 në klasifikim. Teuta do të përballet me Korabin. Pritet që “djemtë e detit” të mos gabojnë, megjithëse dibranët javën e shkuar i hapën shumë probleme Vllaznisë.
KOHA JONË SONDAZH

