“Thatësirë” në Elbasan, serbët gjejnë provokimin. Djukiç: Borxhli me mikëpritjen
Skënderbeu dhe Partizani i Beogradit, u mbyll me mikëpritje dhe me porta të paprekura. Në “Elbasan Arena”, korçarët pritën Partizanin e Beogradit në ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve të Europa League. Skënderbeu u tregua tepër mikpritës me skuadrën serbe duke treguar profesionalizëm në çdo moment që nga mbërritja e tyre në Shqipëri. Ndeshja dhe organizimi në shkallët e stadiumit përfunduan me sukses duke treguar një fair play. Në lojë ka dalluar lufta e fortë fizike me shumë përplasje në tokë dhe në ajër që kulmuan në një moment tensionimi në minutën e 92’ mes mbrojtësit Mici që largoi topin jashtë vijës kufizuese dhe lojtarëve serbë që u frustruan nga ky gjest. Për disa momente ka pasur shkëmbime ofendimesh dhe shtyerje mes lojtarëve, që arbitri e ka tejkaluar duke dhënë karton të verdhë për dy protagonistët e ngjarjes. Mbajtje e topit ka qenë e barabartë dhe vetëm në minutat e fundit serbët kanë kërcënuar më tepër duke goditur edhe shtyllën pas një goditjeje me kokë. Ndonëse dy skuadrat morën vetëm nga një pikë në këtë takim, barazimi në Kiev mes Dinamos vendase dhe Young Boys-it, la gjithçka të hapur sa i përket llogarive të kualifikimit, në grupin B. Trajneri i Partizanit të Beogradit, Djukiç ka folur pas takimit, duke u shpreh se edhe në Beograd do të ketë mikrpitje si këtu. Serbët u mjaftuan me një barazim nga kjo ndeshje. “Ikim shumë të kënaqur në shtëpi. Kishim raste për gola dhe në shtëpi shkojmë të kënaqur nga ky barazim. Largohem nga Elbasan Arena me një përshtypje mjaft të mirë. Jemi të kënaqur me pritjen dhe jemi borxhli për t’ia kthyer në Beograd. Pretendoj që të jetë e njëjta mikpritje si këtu”,-tha ai.
Pjesa parë
Ndeshja filloi mjaft mirë për Skënderbeun, që vuri nën presion kundërshtarët, por nuk arriti të kërcënojë rrezikshëm portën e tyre. Pjesa e parë u karakterizua nga entuziazmi i korçarëve, por që nuk arritën t’i afrohen rrezikshëm portës së serbëve. Mundësinë më të mirë e pati Adeneyi, por shpërdoroi në tentativën për të dribluar një kundërshtar. Nga ana tjetër, serbët mbroheshin mirë dhe bënin presing, duke u munduar të dalin në kundërsulme të rrezikshme. Duhet theksuar se Skënderbeu bëri edhe një zëvendësim, pasi Radas nuk mundi të vijojë më tej lojën, dhe i la vendin Fidan Alitit, në minutën e 32-të.
Pjesa dytë
Pjesa e dytë foli tërësisht për Skënderbeun, që luajti me mjaft grintë dhe krijoi disa mundësi shënimi. Vlen të theksohet edhe mbështetja e jashtëzakonshme e publikut, që gjeneronte forcë dhe grintë te futbollistët korçarë. Djemtë e Ilir Dajës patën disa raste të mira me Sowe, Lilajn dhe Alitin, të cilët nuk ia dolën të gjejnë rrjetën. Nga ana tjetër, serbët tentuan disa herë të dalin me kundërsulme, por nuk arritën të vënë në provë aftësitë e portierit Shehi, deri në minutat e fundit, kur durrsaku shpëton dy herë portën, nga gola të sigurt. Në minutat shtesë krijohet një tension i panevojshëm nga ana e serbëve, që kalohet me ndëshkim me kartonë të verdhë, nga ana e kryesorit polak.
Presidenti
Mikpritja, Vuçeliç: Turp nëse sillemi ndryshe në Serbi
Presidenti i Partizanit të Beogradit, Milorad Vuçeliç, u shpreh se është mjaft i kënaqur nga mikpritja në Shqipëri dhe se janë ndjerë shumë të sigurt.Vuçeliç në një intervistë për mediat para ndeshjes me Skënderbeun tha se shpreson që në ndeshjen e kthimit njerëzit në Beograd të tregojnë të njejtën mikpritje për shqiptarët. Në rast se kjo nuk ndodh, ai thekson se do të ishte një turp për bashkëkombasit e tij “Jemi pritur shumë ngrohtësisht, ndihemi të sigurt, vendasit janë treguar shumë dashamirës. Organizimi është në nivelin më të lartë të mundshëm dhe jam i çuditur pozitivisht. Nuk mund të largohemi nga njëri-tjetri, duhet të jetojmë së bashku në Ballkan. Unë shpresoj që njerëzit tanë në Beograd do të tregojnë se ata janë mikpritës të mirë gjithashtu. Gjërat duhet të shkojnë në rrugën e duhur. Do të turpërohesha nëse gjërat do të shkonin ndryshe”, u shpreh Milorad Vuçeliç.
Serbët gjejnë provokimin
Në fillimin e takimit nga tifozët shqiptar është shpalosur një flamur gjigand kuqezi dhe kjo sipas serbëve është një provokim i hapur ndaj futbollistëve. Por ajo që i irriton më shumë janë këngët e tifozëve. “Kurir” raportoi se mbështetësit shqiptar kanë kënduar përgjatë gjithë minutave “Kosova është zemra e Shqipërisë”, diçka e turpshme sipas tyre.

300 kilometra për Skënderbeun
Në stadiumin “Elbasan Arena”, nuk ka pati vetëm tifozë korçarë, por nga të gjitha trojet Shqiptare. Tifogrupi “Dardanët”, bëri 326 kilometra për të ardhur nga Prishtina në Elbasan, enkas për të parë ndeshjen. “Dardanët gjithmonë kanë përkrahur edhe klubet shqiptare në arenën ndërkombëtare. Sikurse Prishtinën e Trepçen’89 dje, Dardanët ishin përkrah Skenderbeut të Korçës. “Forca Skënderbeu, djemtë e Kosovës janë me ty. Të rritur prej lufte, ma të fortë se frika”, përfundojnë ata në njoftimin e tyre në Facebook. Kujtojmë që “Dardanët” janë tifogrupi kryesor i përfaqësueses së Kosovës.

KOHA JONË SONDAZH


