Tirana fitore spektakolare në derbin ndaj Partizanit, show në “Air Albania”
Në një nga përballjet më të zjarrta të futbollit shqiptar, Tirana ka dalë triumfuese ndaj rivalëve të përjetshëm të Partizanit, duke fituar derbin e kryeqytetit me rezultatin 2-1. Ndeshja, e vlefshme për javën e 33-të të Abissnet Superiore, u zhvillua në stadiumin Air Albania Stadium dhe dhuroi emocione deri në minutat e fundit.
Partizani e nisi më mirë sfidën, duke kaluar në avantazh në minutën e 23-të falë golit të Human, çka u dha të kuqve epërsinë minimale në përfundim të pjesës së parë.
Megjithatë, tabloja ndryshoi ndjeshëm pas pushimit. Tirana u rikthye më agresive në fushë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm drejt portës së mbrojtur nga Pano Qirko. Këmbëngulja e bardhebluve u shpërblye në minutën e 66-të, kur Kresic barazoi shifrat me një goditje të saktë me kokë.
Fundi i takimit u shoqërua me tension dhe polemika. Në minutën e 83-të, Partizani pretendoi për një prekje me dorë brenda zonës nga një lojtar i Tiranës, por gjyqtari Florjan Lata vendosi të vazhdonte lojën. Vetëm dy minuta më pas, në të 85-ën, Freddy Alvarez realizoi një supergol nga distanca, duke përmbysur rezultatin dhe vulosur fitoren e Tiranës.
Me këtë sukses, Tirana ngjitet në vendin e shtatë me 35 pikë, duke marrë frymë disi në renditje. Nga ana tjetër, Partizani mbetet në vendin e pestë me 45 pikë, jashtë zonës “Final Four”.
KOHA JONË SONDAZH

