U akuzua dhe më pas u përjashtua nga ekipi, Cicmil tregon të vërtetën e penalltisë në Korçë
Të shtunën ndeshja mes Skënderbeut dhe Vllaznisë u bë temë diskutimi pasi nuk ishin të pakët ata që shpreheshin se kjo sfidë ishte e toleruar.
Kjo me arsyen se në minutat e fundit, Stefan Cicmil, futbollisti i Vllaznisë, shkaktoi një penallti shumë të çuditshme duke prekur topin me dorë në një moment të parrezikshëm. Nëpër media të ndryshme por jo vetëm, ky rast u komentua si një 11-metërsh me dashje.
Problemet për lojtarin nuk mbaruan këtu sepse fill pas ndeshjes trajneri Armando Cungu deklaroi se Cicmil për shkak të gabimeve gjatë ndeshjes nuk do jetë më pjesë e klubit.
Për herë të parë ka reaguar lojtari ku me një status në “facebook” sqaronin opinion publik për të vërtetën sipas tij.
POSTIMI I CICMIL
“Së pari për shkak të tifozëve, për shkak të Vllaznisë dhe shokëve të skuadrës dhe për shkak të qytetit të Shkodrës ku unë kalova dy vite shumë të bukura, duke iu përgjigjur komenteve negative që janë lidhur me emrin tim si një futbollist i Vllaznisë për ndeshjen me Skënderbeun, jo me qëllimin për të mbrojtur veten, por vetëm për të qartësuar të vërtetën, më duhet të theksoj si vijon:
Gjatë qëndrimit tim dyvjeçar te Vllaznia, kam krijuar një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë njerëzit në Shkodër dhe kam ndjerë mbështetjen e tyre në çdo hap. Kam luajtur rreth 50 ndeshje në mënyrë jashtëzakonisht të ndershme, korrekte dhe profesionale dhe çdo herë kam lënë zemrën në fushë.
Audienca e kuptoi këtë përpjekje timen dhe për këtë jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj tyre! Unë dua gjithashtu të theksoj se kam pasur marrëdhënien më të bukur të karrierës time profesionale me fansat e Vllaznisë. U jam mirënjohës njerëzve të klubit Vllaznia të cilët më pranuan dhe më mbështetën gjithashtu.
Në lidhje me ndeshjen e djeshme ndaj Skënderbeut, unë dua të theksoj se kjo ishte ndeshja ime e parë pas tre muajsh dhe pas dëmtimit tim në ndeshjen e parë të pjesës së dytë të kampionatit. Unë kisha një dëshirë të jashtëzakonshme që kjo ndeshje të ishte mënyra më e mirë e mundshme për t’u kthyer në fushë.
Ne të gjithë e dimë se gabimet janë pjesë e futbollit dhe dje, në rrethana të pafat, topi të cilin as nuk e pashë, më erdhi nga mbrapa dhe më goditi në krah, e gjithë kjo gjatë përpjekjes time për të mos lënë lojtarin e Skënderbeut që po ruaja të mos shënonte një gol.
Nga të gjitha ndeshjet e karrierës time në Superiore, kjo është me shumë mundësi një nga ata ku unë dëshiroja më shumë të fitoja dhe jam i sigurt se për shkak të humbjes së djeshme, unë jam më i mërzituri nga të gjithë ne.
Unë dua sidomos të deklaroj se të gjithë komentet negative në media në lidhje me emrin tim janë tendencioze! Si një djalosh i sinqertë dhe një futbollist profesionist, unë nuk e kuptoj këtë!
Si gjithmonë, në marrëdhënien time me Vllazninë, unë do të vazhdoj të mbetem profesionist dhe korrekt. Për mua, ishte një ndjesi fantastike të isha në ekipin më të mirë të Superiores shqiptare për disa javë me radhë, të vishja fanellën e Vllaznisë dhe të ndjeja ovacionet e tifozëve sa herë që zbritja në fushë.
Unë dua t’i falënderoj të gjithë për mesazhet e tyre të mbështetjes, pasi kutia e mesazheve është e mbushur prej tyre që nga dita e djeshme. Faleminderit!
Dhe si përfundim, për mua, ishte një nder që të kaloja dy vite të mrekullueshme në këtë klub kaq të madh, që është më i madh se çdo individ, pasi ne të gjithë jemi të përkohshëm dhe Vllaznia do të mbetet përgjithmonë!!!”.
KOHA JONË SONDAZH

