“Unify League”, dorëzohet kërkesa në UEFA dhe FIFA për Superligën Europiane
Superliga Europiane, projekti i iniciuar nga presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, është vënë përsëri në lëvizje dhe këtë radhë, e ka bërë duke dorëzuar në zyrat e UEFA-s dhe të FIFA-s detajet e turneut të ri që klubet kërkojnë të organizojnë vetë.
Kompania “A22” e cila merret me organizmin e këtij turneu, ka detajuar planin për kompeticionin i cili quhet “Unify League” dhe që do të ndahet në katër kategori, në të cilat do të luajnë çdo vit skuadrat më të mira të turneve kombëtare kontinental, duke marrë për bazë meritën sportive.
Gjithçka do të transmetohet nëpërmjet një aplikacioni në të cilin mund të zgjidhet opsioni me pagesë pa reklama, ose ai pa pagesë, por me ndeshjet që do të shfaqin reklama, nga të cilat priten të sigurohen të ardhura të rëndësishme.
Liga Star, do të ketë skuadrat më të mira dhe do të jetë e ndarë në dy grupe me nga 8 skuadra. E njëjta gjë edhe në Ligën Gold, që është e dyta. Në Ligën Blue dhe Union, do të jenë nga 32 skuadra të përfshira.
Tani mbetet të shihet se si do të reagojë UEFA ndaj kësaj kërkese për të njohur turneun e ri, i cili parashikohet që ashtu si kompeticionet e UEFA-s, të ketë finalet në muajin maj dhe qershor.