Vidal arrin akordin për largimin nga Barcelona, gati transferimi tek Interi
Arturo Vidal është vetëm një hap larg rikthimit në kampionatin atje ku e pret Antonio Conte. Mesfushori kilian ka dalë jashtë planeve të trajnerit Ronald Koeman dhe duke qenë se i ka mbetur vetëm një vit kontratë me klubin “blaugrana”, po negocion një ndarje konsensuale për t’u larguar menjëherë nga Katalunja.
Sipas mediave në Spanjë e Itali menaxheri i futbollistit, Fernando Felichivich e ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e Barcelonës për prishjen e parakohshme të kontratës dhe gjithçka pritet të zyrtarizohet sot në një takim me presidentin Bartomeu.
Vidal ka arritur tashmë marrëveshjen me Interin dhe do të nënshkruajë një kontratë dy vjeçare me zikaltrit, me pagë prej 6 milionë eurosh në sezon dhe me opsionin për rinovimin edhe për një vit të tretë, nëse do të jetë në formë të mirë.
Mesfushori kilen ishte kërkesa e parë e Antonio Contes që kur shkeli në Milano më tepër se një vit më parë dhe tani trajneri do të ketë në dispozicion futbollistin e tij të preferuar.