Vidal gjithnjë e më larg Interit, zikaltërit mendojnë për Eriksen
Arturo Vidal është objektivi kryesor i Interit në merkaton e janarit, por për të arritur te kiliani do të jetë shumë e veshtirë. Goli i shënuar dje me kokë nga Espanyol e ka komplikuar edhe më shumë këtë operacion.
Në përfundim të takimit, trajneri Valverde thuri elozhe për mesfushorin kilen, duke deklaruar se ka karakteristika unike dhe se do të gjejë vazhdimisht hapësira në formacion, qoftë nga fillimi, qoftë nga stoli, ndërsa një drejtues katalan u shpreh se çështja e bonusit zgjidhet brenda familjes.
Te Barcelona nuk kanë ndërmend të lënë të lirë Vidal, të paktën jo pa arkëtuar 20 milionë euro menjëherë. Interi nuk duket gati ta paguajë, ndaj zikaltrit kanë nisur të fokusohen edhe në pistën që të çon te danezi Eriksen.
Ky i fundit ëndërron akoma transferimin te Reali i Madridit, por momentalisht vetëm Interi duket më interesuar, teksa duhet të derdhë edhe 25 milionë euro në arkat e Tottenhamit.