
Sulmuesi anësor i Bregut të Fildishtë, Yan Diomande, ka vendosur të reagojë publikisht ndaj komenteve dhe dyshimeve të vazhdueshme në rrjetet sociale lidhur me moshën e tij të vërtetë.
Futbollisti 20-vjeçar është bërë prej kohësh objekt diskutimesh në internet, ku disa përdorues kanë vënë në pikëpyetje datën zyrtare të lindjes së tij. I lodhur nga këto insinuata, talenti afrikan ka vendosur të thyejë heshtjen, duke paralajmëruar se personat që kanë bërë deklarata të tilla mund të mbajnë përgjegjësi për fjalët e tyre.
Përmes një reagimi të publikuar dhe të raportuar nga Footmercato, futbollisti ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për kritikët e tij në rrjetet sociale.
“Interneti të lejon të thuash gjithçka pas një ekrani, ndaj njerëzve të cilëve nuk do të kishe guxim t’u thoje asgjë përballë. Por nuk duhet të harrojmë se fjalët kanë pasoja dhe se bota virtuale nuk na çliron nga përgjegjësia për veprimet tona”, shkruan Diomande.
Reagimi i futbollistit afrikan nuk u ndal me kaq. Në mesazhin e tij, ai la të kuptohet se muaji dhjetor mund të sjellë zhvillime të reja për personat që kanë përhapur dyshime dhe akuza ndaj tij, pa specifikuar konkretisht se çfarë hapash synon të ndërmarrë.
“Në këtë dhjetor, shumë njerëz do të kuptojnë se jo gjithçka mbetet pa u ndëshkuar dhe se secili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij. Maskat do të bien”, përfundoi futbollisti.
Deklarata e Diomandes ka tërhequr vëmendjen, duke rikthyer në qendër të diskutimit debatin mbi komentet dhe akuzat e pabazuara që qarkullojnë në rrjetet sociale ndaj futbollistëve.
