
Janë zbardhur rezultatet paraprake të autopsisë për vdekjen tragjike të futbollistit spanjoll Jesus de Miguel. Sipas raportit mjeko-ligjor, sulmuesi 30-vjeçar i Tenerife ka humbur jetën si pasojë e një traume aksidentale në kraharor, të shkaktuar gjatë përplasjes së rëndë në fushën e lojës.
Përfundimet paraprake janë dorëzuar në gjykatën hetimore në Santa Cruz de Tenerife, ndërsa analizat e mëtejshme laboratorike pritet të kryhen në një laborator të specializuar në Spanjën kontinentale.
Ngjarja tragjike ndodhi në minutën e 97-të të ndeshjes mes Tenerife dhe FC Andorra, të vlefshme për kategorinë e dytë spanjolle. De Miguel u përplas rëndë me portierin kundërshtar, Jesus Owono, gjatë një dyluftimi për topin. Sipas raportit të arbitrit, gardiani përdori forcë të tepruar në ndërhyrje dhe u ndëshkua me karton të kuq.
Sulmuesi pësoi arrest kardiak në fushë dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipit mjekësor, nuk arriti të mbijetonte. Ai ndërroi jetë në spital mëngjesin e së martës. Tragjedia bëhet edhe më e rëndë për faktin se në stadium ndodheshin partnerja e tij, Maria Fernandez, dhe vajza vetëm njëvjeçare, Carla.
Ndërkohë, trupi i futbollistit është transportuar drejt Spanjës, ku do të zhvillohet ceremonia mortore në Navahermosa, vendlindja e familjes së tij.
Hetimet dhe ekzaminimet e mëtejshme pritet të japin përfundimin përfundimtar mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje që ka tronditur futbollin spanjoll.

