Zhegrova shkëlqen ndaj Cagliarit, barazon rekordin e Murielit dhe Lautaros
Edon Zhegrova ishte një nga lojtarët më të rrezikshëm të Juventusit në përballjen ndaj Cagliarit, pavarësisht se nuk arriti ta gjente rrugën drejt rrjetës. Futbollisti kosovar u aktivizua në pjesën e dytë nga Luciano Spalletti dhe menjëherë i dha më shumë gjallëri repartit sulmues të bardhezinjve.
Trajneri i Juventusit e hodhi Zhegrovën në fushë në fillim të pjesës së dytë, duke zëvendësuar Francisco Conceiçãon. Anësori kosovar nuk vonoi të tregonte cilësitë e tij, duke vënë në vështirësi mbrojtjen kundërshtare me driblimet dhe depërtimet e shpejta.
Përveç lojës së tij individuale, Zhegrova regjistroi edhe një statistikë të veçantë, duke goditur pesë herë në kuadratin e portës. Megjithatë, portieri i Cagliarit, Caprile, arriti t’i ndalte të gjitha tentativat e tij.
Paraqitja e futbollistit kosovar merr edhe më shumë rëndësi kur shihen statistikat historike të Serie A. Që nga sezoni 2004/05, kur kampionati italian u rikthye në formatin me 20 skuadra, asnjë lojtar i aktivizuar nga stoli nuk ka arritur të regjistrojë gjashtë goditje në kuadratin e portës brenda një ndeshjeje.
Vetëm dy futbollistë të tjerë kishin arritur më parë shifrën e pesë goditjeve në portë pasi ishin futur si zëvendësues: Luis Muriel, me fanellën e Atalantës kundër Udineses në qershor të vitit 2020, dhe Lautaro Martínez, me Interin ndaj Salernitanës në shtator të vitit 2023.
Me pesë goditjet e tij ndaj Cagliarit, Zhegrova barazon këtë statistikë, duke konfirmuar ndikimin që mund të ketë në lojën e Juventusit edhe kur nuk e nis ndeshjen nga minuta e parë.

