Paralajmerimi i Stephen Hawking: Realiteti IA-i, a po ecim drejt një rruge të pakthyeshme të destabilizimit?!

Stephen Hawking dhe IA

Sa më thellë Artificial Intelligence zhytet në jetën tonë, sa më dominuese bëhet prania e saj në proceset e përditshme, në ekonominë, komunikimin dhe mënyrën se si mendojmë e veprojmë, aq më e ndjeshme bëhet edhe pasiguria jonë për të nesërmen. Përparimi teknologjik ka qenë gjithmonë një histori e ndërthurur mes shpresës dhe ankthit, mes magjepsjes për atë që bëhet e mundur dhe frikës për atë që mund të na shpëtojë nga duart. Vizionarët mund të parashikojnë prirjet e përgjithshme të zhvillimit, mund të projektojnë skenarë të së ardhmes, por turravrapi me të cilin po intensifikohet dhe implementohet inteligjenca artificiale në gjithnjë e më shumë “qeliza” të jetës moderne është aq i vrullshëm, saqë e bën pothuajse të pamundur formulimin e parashikimeve të sigurta. Nuk ka më klauzola kohore që të na japin një alarm të qartë për atë që po vjen.

Ndoshta inteligjenca artificiale do të na zërë në befasi – ashtu siç tashmë na ka befasuar me shumë prej arritjeve që vetëm pak vite më parë dukeshin të pamundura. Megjithatë, kjo nuk është një arsye për panik. Është më shumë një thirrje për vëmendje, për maturi dhe për aftësi menaxhuese. Asnjë paralajmërim nuk duhet injoruar, por as mbivlerësuar në mënyrë alarmiste. Në këtë ekuilibër të brishtë mes entuziazmit dhe frikës, mbetet i vlefshëm një nga zërat më të rëndësishëm të mendimit shkencor të kohës sonë: Stephen Hawking, një figurë ikonike e fizikës teorike dhe një vizionar që ndikoi thellësisht në mënyrën se si e kuptojmë universin, kohën dhe të ardhmen e teknologjisë.

Prania e Hawking-ut në debatin mbi inteligjencën artificiale shkon përtej kufijve të kohës dhe hapësirës. Mendimi i tij është bërë pjesë e vetë narrativës së inteligjencës njerëzore – një reflektim mbi potencialin dhe rreziqet e asaj që vetë njeriu ka krijuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në një postim përkujtimor të University of Cambridge, rikujtohet një nga paralajmërimet më të fuqishme të Hawking-ut:
“Inteligjenca artificiale mund të jetë arritja më e madhe e njerëzimit – ose rënia e tij.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai e shihte inteligjencën artificiale si një forcë transformuese, të aftë për të ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si funksionon bota. Në vizionin e tij optimist, AI mund të kontribuojë në zhdukjen e sëmundjeve, në reduktimin e varfërisë dhe madje në riparimin e dëmeve mjedisore të shkaktuara nga industrializimi. Teknologjitë e reja mund të bëhen një aleat i fuqishëm i njerëzimit në përpjekjen për të ndërtuar një botë më të drejtë, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme.

Por Hawking nuk ishte një optimist naiv. Ai paralajmëronte gjithashtu për një rrugë potencialisht të rrezikshme, ku teknologjia mund të shndërrohet në një kërcënim ekzistencial. Në këtë skenar, inteligjenca artificiale mund të përdoret për zhvillimin e armëve autonome, për destabilizime ekonomike të shkaktuara nga automatizimi masiv, ose për krijimin e sistemeve që zhvillojnë një formë autonomie vendimmarrëse që mund të mos përputhet më me interesat njerëzore.

Gati një dekadë më vonë, pyetja që lind natyrshëm është: sa i saktë ishte parashikimi i tij?

Sot, inteligjenca artificiale ka depërtuar pothuajse në çdo dimension të jetës sonë. Përfitimet janë të dukshme dhe shpesh të jashtëzakonshme. Në mjekësi, sistemet e AI-së po kontribuojnë në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve dhe në zhvillimin e terapive të personalizuara. Në industri, ato po optimizojnë proceset prodhuese dhe po rrisin eficiencën e energjisë. Në kërkimin shkencor, inteligjenca artificiale po përshpejton analizën e të dhënave dhe po hap horizonte të reja për zbulime që dikur kërkonin dekada pune.

Edhe në arsim dhe komunikim, AI ka sjellë transformime të thella: mjete të reja për të mësuar, për të krijuar dhe për të shpërndarë dijen në një shkallë globale.

Megjithatë, sfidat janë po aq të dukshme. Automatizimi i avancuar ka sjellë tensione të reja në tregun e punës, duke zhdukur profesione tradicionale dhe duke krijuar pasiguri për miliona punëtorë. Inteligjenca artificiale është përdorur gjithashtu në mënyra të diskutueshme: në përhapjen e dezinformimit, në sistemet e mbikëqyrjes masive dhe në forcimin e mekanizmave të kontrollit në disa regjime autoritare.

Ndërkohë, frika për armët autonome dhe për militarizimin e inteligjencës artificiale mbetet një nga shqetësimet më serioze të komunitetit ndërkombëtar.

Në këtë kontekst, dilema themelore mbetet e hapur:
a po shkojmë drejt një epoke të artë të progresit teknologjik, apo drejt një rruge të pakthyeshme destabilizimi?

Për Hawking-un, inteligjenca ishte thelbi i asaj që do të thotë të jesh njeri. Çdo arritje e qytetërimit – nga zbulimi i zjarrit deri te eksplorimi i kozmosit – është produkt i kapacitetit tonë për të menduar, për të imagjinuar dhe për të krijuar. Ai besonte se nuk ekziston një hendek i pakapërcyeshëm mes një truri biologjik dhe një sistemi kompjuterik, duke sugjeruar se inteligjenca artificiale jo vetëm mund të imitojë inteligjencën njerëzore, por në një moment të caktuar mund edhe ta tejkalojë atë.

“Ne nuk mund të parashikojmë se çfarë mund të arrijmë kur mendjet tona përforcohen nga AI,” thoshte ai. “Me këtë revolucion të ri teknologjik, mund të zhbëjmë disa nga dëmet e industrializimit dhe të synojmë eliminimin e sëmundjeve dhe varfërisë. Çdo aspekt i jetës sonë do të transformohet. Por suksesi në krijimin e AI mund të jetë ngjarja më e madhe në historinë e qytetërimit tonë – ose e fundit, nëse nuk mësojmë si t’i shmangim rreziqet.”

Hawking nuk ishte kundër inteligjencës artificiale. Përkundrazi, ai e konsideronte atë një mundësi të jashtëzakonshme për njerëzimin. Por ai këmbëngulte në një kusht thelbësor: zhvillimi i saj duhet të shoqërohet me përgjegjësi, me rregullim etik dhe me një vizion të qartë për mënyrën se si kjo teknologji duhet të shërbejë për të mirën e përbashkët.

Paralajmërimi i tij mbetet po aq aktual sot sa edhe atëherë kur u formulua. Sfida jonë nuk është më vetëm krijimi i inteligjencës artificiale, por menaxhimi i saj – aftësia për ta orientuar drejt një të ardhmeje që përforcon potencialin njerëzor dhe nuk e zëvendëson atë.

Sepse në fund, siç e përmblidhte vetë Hawking me një thjeshtësi që mbartte peshën e një profecie:
“Ne ende nuk e dimë se cilën rrugë do të ndjekim.”

Përgatiti: Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?