Gjergj Luca na fton për drekë nga kantieri në Fier: “Hajde, bujrum me bukë e zemër!”
Nga Albert Vataj
Mes tullave, pluhurit dhe zhurmës së kantierit, sipërmarrësi Gjergj Luca zgjedh të ndajë një copë bukë me punëtorët e tij. Jo në një restorant luksoz, jo në një tavolinë të shtruar me salltanete, por aty ku ngrihen muret e një ëndrre të re, ulur rrafsh, pranë njerëzve që me djersën e tyre i japin formë një projekti ambicioz.
“Ne këtu në Shqipëri punojmë që ju të diasporës, kur të vini për pushime, të shikoni ndryshimet radikale dhe të ndiheni si mbretër. Ne punojmë, ne protestojmë, ne pushojmë si evropianë!”, shkruan Luca në videon e publikuar nga kantieri në Fier.
Me stilin e tij të drejtpërdrejtë, ai i drejtohet kësaj here shqiptarëve të diasporës, duke sjellë në kujtesë vitet e sakrificave dhe mundit të emigracionit: “O ju të diasporës, a ju kujtohet si hanit nëpër kantiere? Po nuk hëngre kështu dhe po nuk punove nga 12 orë në ditë, nuk ka bereqet. Mos u tallni me ne që kemi mbetur këtu duke punuar.”
Por përtej humorit dhe thumbit miqësor, mesazhi i tij mbart një bindje të fortë, se Shqipëria nuk ndërtohet me ankesa he protesta, por me punë; jo me pritje, por me përkushtim; jo me fjalë, por me vepra.
Pamjet e drekës janë të thjeshta dhe njerëzore. Disa kafshata bukë, pak ushqim i sjellë nga shtëpia, shishe uji dhe një grup burrash që ndajnë pushimin e shkurtër mes orëve të gjata të punës. Dikujt bukën ia ka përgatitur nëna, dikujt bashkëshortja, dikush e ka bërë gati vetë. Është ajo drekë modeste e kantierit që shumë shqiptarë e njohin mirë, sepse ka shijen e mundit, të sakrificës dhe të dinjitetit.
Në këtë skenë të zakonshme fshihet një simbolikë më e madhe: Shqipëria e përditshme nuk ndërtohet në podiume, por në ara, punishte, fabrika, kantierë dhe biznese, aty ku njerëzit zgjedhin të qëndrojnë dhe të investojnë energjinë, kohën dhe jetën e tyre.
“Ne besojmë se këtë vend që e duam, me punë dhe me djersë do ta bëjmë pjesë të familjes evropiane. Këtë tokë e kemi amanet nga të parët dhe këtij vendi i përkasim. Këtu kemi familjen, të sotmen dhe këtu duam të ndërtojmë të ardhmen”, shprehet Luca.
Dhe pikërisht nga Fieri, aty ku po merr formë një nga sipërmarrjet më ambicioze të tij, “Apollonia Rozafa”, ai zgjedh të japë një mesazh të thjeshtë, por të kuptueshëm për këdo, se zhvillimi nuk vjen nga qielli, ai lind nga duart e njerëzve që punojnë dhe sakrifikohen, për veten, për fëmijët e tyre, për familjen, për të ardhmen, për Shqipërinë.
Me një urim të ngrohtë dhe plot optimizëm, “Rroftë Shqipëria, jeni më të mirët!”, Gjergj Luca e mbyll këtë komunikim spontan nga kantieri, duke e kthyer një drekë të zakonshme pune në një ftesë për të reflektuar mbi vlerën e punës, sakrificës dhe besimit tek e ardhmja e vendit.
KOHA JONË SONDAZH

