Gjergj Luca njofton nisjen e sezonit të tonit Bluefin, flamuri shqiptar triumfues në betejat e rivalitetit të flotës “Rozafa” në Mesdhe

Nga Albert Vataj

Sipërmarrësi i njohur shqiptar dhe drejtuesi i kompanisë lider në akuakulturë, Gjergj Luca, ka njoftuar përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale nisjen zyrtare të sezonit të peshkut ton Bluefin, një prej specieve më të kërkuara dhe më të çmuara në tregjet ndërkombëtare të peshkimit.

Si çdo vit, edhe këtë herë nisja e sezonit nuk përfaqëson thjeshtë hapjen e një cikli pune për kompaninë “Rozafa”, por simbolizon një mobilizim të madh njerëzor, teknik dhe ekonomik të një sipërmarrjeje shqiptare që prej vitesh është shndërruar në një histori suksesi në Mesdhe.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

“Hapet sezoni i Tonit Bluefin”, njofton Luca në videon e publikuar, ndërsa tregon se 9 anije të flotës “Rozafa” ndodhen tashmë në ujërat mesdhetare, të pajisura me kapacitete të plota njerëzore dhe teknologjike, në një nga sfidat më të vështira dhe më konkurruese të industrisë së peshkimit.

Në detin e paanë të Mesdheut, ku përballen flotat më të fuqishme të botës, anijet shqiptare janë angazhuar në një betejë të vërtetë për kapjen e tonit Bluefin, një specie që konsiderohet “ari blu” i thellësive detare për shkak të vlerës së jashtëzakonshme tregtare dhe kërkesës së lartë në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në gastronominë elitare dhe industrinë globale të përpunimit të peshkut.

“Jemi duke luftuar me flota nga gjithë bota për këtë thesar të thellësive, për këtë peshk të çmuar, për këtë kapacitet konkurrues”, shprehet Luca, duke e përshkruar këtë sezon si një sfidë ku përvoja, teknologjia, organizimi dhe guximi përcaktojnë suksesin.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, shihen momentet e kapjes së tonit në Mesdhe, ndërsa Luca shoqëron videon me një deklaratë simbolike dhe krenare: “Flamuri shqiptar edhe sot doli fitimtar.”

Ky mesazh nuk është vetëm një shprehje entuziazmi për rezultatet e para të sezonit, por edhe një metaforë e një sipërmarrjeje shqiptare që ka arritur të konkurrojë denjësisht në një treg global, duke ngritur emrin e Shqipërisë në hartën ndërkombëtare të industrisë së akuakulturës dhe peshkimit profesional.

Nisja e këtij sezoni pritet të sjellë tregues pozitivë për kompaninë “Rozafa”, e cila prej vitesh mban pozita lidere në eksportin dhe tregtimin e tonit Bluefin, duke u kthyer në një prej historive më të suksesshme të biznesit shqiptar në sektorin e ekonomisë së detit.

Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Gjergj Luca nuk ndan vetëm zhvillimet e kompanisë së tij, por ndërton edhe një marrëdhënie të afërt me publikun, duke sjellë jo rrallëherë dimensionin njerëzor, emocional dhe simbolik të punës së përditshme në det.

Sot, “Rozafa” konsiderohet një nga emrat më përfaqësues të industrisë shqiptare të peshkimit dhe akuakulturës, duke kontribuar ndjeshëm në eksportet shqiptare, në punësim dhe në promovimin e markës “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare, aty ku konkurrenca është e egër dhe ku mbijetojnë vetëm ata që arrijnë të kombinojnë vizionin, disiplinën dhe guximin sipërmarrës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?