Panair dhe fonde për bamirësi nga vajzat e vogla
Nga Gëzim Hoxha
Të premten që shkoi në sheshin e ri të rikonstruktuar nga Bashkia e Fierit, pranë xhamisë, u mbajt paniairi i biskotave. Ky panair qe i pari i këtij lloji në Fier dhe u mbajt nga vajzat skaute. Ai qe prelud i kampit që u financua nga EPOKA E RE (Parlamenti rinor, Fier). Qëllimi i kampit qe fuqizimi i vajzave të vogla dhe aktivizimi i tyre në aktivitete të ndryshme jashtëshkollore.
Në njërën prej videove të hedhur nga kjo qendër shfaqen të gjitha vajzat të veshura me nga një bluzë të bardhë duke shitur biskota të gatuara me duart e tyre dhe të ndihmuara edhe nga prindërit e tyre. Ato janë plot entuziazëm, kanë një dëshirë shumë të madhe për të shitur biskotat e tyre dhe me ato pak para të bëjnë ndonjë vepër bamirësie.
Pyetjes: se si lindi ideja për organizimin e këtij panairi?, Nevila Jahaj drejtuese e kësaj qendre rinore i përgjigjet në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. – Unë jam nënë, kam dy vajza dhe do doja t’ia mbushja ditën vajzave të mia dhe pse jo edhe të tjerave. Ajo vazhdon duke na treguar se panairi është vetëm një pjesë e vogël e një programi më të gjerë që u soll në Shqipëri para një viti e gjysëm nga ambasada Amerikane. Ishte më shumë një nevojë që kishim ne, si nëna për vajzat tona, pasi në Fier nuk është organizuar pothuajse asnjë akivitet për vajzat e vogla.
Nga faqja e organizatës ndërkombëtare të vajzave skaute mëson se ka rreth 60 milion vajza skaute në botë. Fjala scout do të thotë udhëheqëse. Dhe këtu merr një përgjigje dhe pyetja: “Ç’lidhje ka parlamenti rinor me fëmijët?”. Nevila vazhdon të thotë se ne kemi si qëllim identifikimin dhe fuqizimin e liderve të rinj. Ne përgatisim udhëheqës skuadrash dhe ata merren me fëmijët dhe sidomos me vajzat. Kampi i organizuar prej nesh kishte pikërisht këtë qëllim. Ne kishim bërë aktivitete sporadike nëpër shkolla por e ndjenim nevojën e diçkaje të tillë, të një kampi psh. Ne arritëm të ngrinim një bërthamë të mirëfilltë të vajzave skaute në Fier, dmth ato u njohën me njëra tjetrën, u informuan për qëllimet e vajzave skaute dhe u përgatitën për aktivitetin e parë të tyre të mirëfillt.
Ne ia kaluam shumë mirë në kamp, – thotë njëra prej vajzave që për arsye moshe nuk po ia përmendim emrin. – Ne luajtëm, këndonim, vizatonim, bëmë kartolina, por edhe mësuam shumë lojëra të reja. Ne mësuam shumë gjëra edhe për vajzat skaut, mësuam si të punojmë në grup, si të bëjmë shoqe të reja, si të caktonim takime imagjinare e plot gjëra të tjera.
Përgatitjet për panairin zgjatën 3 ditë, të cilat u drejtuan nga Kaltra Toska, një prej udhëheqësve të skuadrave të përgatitur në këtë qendër. E kantaktuar me telefon, pasi ajo nisej për në Budapest, ajo tregon se është trajnuar për programin e vajzave skaute në Danimarkë. Ajo tregon se ky program u mbështet edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë si në: Kuçovë, Rrëshen, Berat, Shkodër, Pukë e natyrisht edhe në Fier.
Kaltra thotë se me ndihmën e vullnetarëve të “Peace Corps” programi i vajzave skaute do të përhapet edhe në qytete të tjera të tjera të Shqipërisë. Konferenca e “Scout Girl” që do të mbahet në fund të Shtatorit në Indi, pritet të pranojë hapjen e një dege të saj në Shqipëri.
E pyetur për fatin e të ardhura të mbledhura nga ky panair, Nevila thotë: – “Janë hedhur disa ide: njëra është shpenzimi i parave për blerjen e një peme dhe mbjelljen e saj në parkun që bashkia po rikonstrukton tek ish BAR RINIA, një tjetër ide është blerja e ndihmave ushqimore për shtëpinë e të moshuarve, por gjithsesi vendimi se si do të shpenzohen, do të vendoset nga vetë vajzat.”
Tani që ato e provuan dhe fituan besim tek vetja është edhe më e lehtë. – vëren Nevila. – Kur të mblidhen edhe më tepër para nga aktivitete të tjera atëherë do të vendoset nga vetë vajzat se çfarë do të bëhet me to. Por ajo shprehet e vendosur në vijimësinë e këtij panairi jo vetëm për paratë e mbledhura por më shumë për t’iua mbushur ditën vajzave, për t’i nxjerrë ato nga shtëpia dhe sidomos që ato të kënaqen duke bërë diçka me duart e tyre dhe pse jo, edhe duke i shitur ato.
A do të vazhdojë ky aktivitet? Nevila përgjigjet “Po!”. Ajo sqaron se panairi i biskotave është një formë e mirë e mbledhjes së fondeve që përdoren për bamirësi. Në faqen e organizatës ndërkombëtare të “Scout girls” mësojmë se shitja e biskotave është vetëm njëri prej aktiviteteve që kjo organizatë organizon. Të tjera aktivitete janë edhe dalja nga shtëpia, pjesëmarrja nëpër udhëtime të mrekullueshme, eksplorimi i shkencës etj.