Abdixhiku i LDK sfidon Kurtin: Propozojmë Vjosa Osmanin!
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar se është e gatshme të propozojë sërish Vjosa Osmani për postin e presidentes së Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje siguron 66 vota në Kuvend për zgjedhjen e saj.
Deklarata është bërë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një reagimi publik, ku i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti lidhur me negociatat për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Kur të vendosni nëse doni marrëveshje politike me LDK-në apo jo, atëherë flasim. Presidentin e propozojmë ne me përgjegjësi. Mund të propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na garantoni 66 vota për të”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se nëse Vetëvendosje kërkon marrëveshje me LDK-në, atëherë duhet të zhvillohet dialog i drejtpërdrejtë mes palëve, duke lënë të kuptohet se çdo zgjidhje duhet të jetë politike dhe e dakordësuar.
Reagimi i LDK-së vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje u ka kërkuar partive opozitare, LDK-së dhe Partia Demokratike e Kosovës, që të propozojnë tre emra konsensualë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, duke kërkuar kandidatë unifikues dhe jopartiakë.
Debati për zgjedhjen e presidentit po zhvillohet në një klimë politike të tensionuar, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit po afrohet.
KOHA JONË SONDAZH

