Guardiola: Një pikë më mirë se një humbje, të vazhdojmë të luftojmë!
Barazimi spektakolar 3-3 ndaj Everton ka lënë pasoja në garën për titull për Manchester City, me trajnerin Pep Guardiola që pranoi se skuadra e tij nuk e ka më fatin plotësisht në dorë në Premier League.
Pas ndeshjes, tekniku spanjoll u shfaq i përmbajtur në analizë, duke vlerësuar paraqitjen e ekipit të tij, por edhe forcën e kundërshtarit. “Ishte një performancë vërtet e mirë. Pjesa e parë ishte e shkëlqyer, por në të dytën humbëm disi kontrollin dhe u ndëshkuam”, deklaroi ai për mediat.
Guardiola theksoi vështirësitë që paraqet gjithmonë një transfertë në “Goodison Park”, duke nënvizuar stilin fizik dhe agresiv të vendasve. “Ata luajnë një futboll tipik anglez, shumë të fortë në duele dhe të organizuar në mbrojtje. Nuk është e lehtë të depërtosh kur kanë kaq shumë lojtarë prapa topit”, u shpreh trajneri i “qytetarëve”.
Megjithatë, pavarësisht zhgënjimit për humbjen e dy pikëve, Guardiola u përpoq të shohë anën pozitive. “Marrim një pikë dhe vazhdojmë. Është më mirë se një humbje. Skuadra luftoi dhe tregoi karakter”, tha ai, duke pranuar se situata në renditje është komplikuar: “Më parë gjithçka ishte në duart tona, tani jo më”.
Në fund, ai hodhi sytë nga sfidat e mbetura të sezonit, ku çdo gabim mund të jetë vendimtar. “Duhet të japim maksimumin në katër ndeshjet e fundit. Do të jetë një sfidë e ngjashme edhe kundër Brentford. Do të shohim si do të shkojë”, përfundoi Guardiola.
KOHA JONË SONDAZH

