Manjani: Një reagim i shpejtë për vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë
Nga Ylli Manjani
Nga një lexim i parë i përmbledhjes së vendimit njehsues të Gjykatës së Lartë, mund të them se:
1. Vendimi, në vetvete, përbën një ndërhyrje logjike për saktësimin e proporcionalitetit në caktimin e masës së arrestit me burg. Ai kërkon detyrimisht që prokurorët dhe gjyqtarët të eksplorojnë realisht masat e tjera të sigurisë, përpara se të vendosin arrestimin e një personi. Padyshim, kjo është një gjë pozitive.
Megjithatë, mënyra se si garantohet në praktikë kjo që sugjeron Gjykata e Lartë mbetet e paqartë. Vendimi nuk jep zgjidhje konkrete, por lë hapësirë për ankime të mëtejshme.
2. Masa e arrestit me burg duhet, pa dyshim, të jetë e individualizuar, siç thekson vendimi i Gjykatës. Por si garantohet barazia para ligjit në trajtimin proporcional, nëse dy individë në të njëjtat kushte trajtohen ndryshe — njëri arrestohet dhe tjetri jo? Pra, a është individualizimi më i rëndësishëm se proporcionaliteti?
3. Prokurori ka barrën të justifikojë arrestin me argumente reale, dhe jo me supozime. Kjo është plotësisht e drejtë. Por çfarë quhen “argumente reale”? Janë ato fakte të provuara më parë, apo supozime të bazuara në dyshime?
E përsëris: vendimi i Gjykatës synon të ndikojë në vendimmarrje, por mbetet ende shumë teorik dhe nuk e trajton plotësisht masën e arrestit në kontekstin praktik të drejtësisë penale.
Ka disa aspekte që kërkojnë vëmendje dhe ndërhyrje serioze, në mënyrë që sugjerimet e këtij vendimi të marrin kuptim real. Jo të gjitha mund t’i zgjidhë Gjykata e Lartë; do të nevojiten edhe ndërhyrje ligjore. Konkretisht:
1. A mundet që një procedim penal i parregullt, i cili nuk i është nënshtruar kontradiktoritetit gjyqësor, të legjitimojë një masë arresti me burg?
Kujdes: prokurori mund të regjistrojë një procedim penal edhe pa bazë të qartë dhe pa dhënë llogari për këtë veprim.
2. A mund të vendoset masa e arrestit me burg ndaj personave nën hetim, në fazat e hershme të hetimit dhe pa një afat të përcaktuar? Nëse po, cili është dallimi ndërmjet personit nën hetim dhe të pandehurit? A ndryshon statusi i tyre për shkak të cilësisë së provës, apo thjesht për shkak të fazës së procedimit?
3. A mund të shërbejë një përgjim si provë për caktimin e arrestit, kur Kodi i Procedurës Penale e konsideron përgjimin si mjet për sigurimin e provës?
4. A mund të mbahet një person në paraburgim mbi bazën e një vendimi të hershëm të gjykatës së hetimit, edhe pasi çështja kalon në gjykim? A duhet që gjykata e themelit të ketë të drejtën ekskluzive për të vendosur mbi masat proporcionale në funksion të gjykimit?
Kujtoj se, për efekt llogaritjeje, paraburgimi ndahet në periudhë hetimore dhe periudhë gjykimi. Megjithatë, gjykimi nuk ka detyrimin të marrë një vendim të ri për masën e sigurimit.
5. Çfarë kuptohet me “dyshim i arsyeshëm”? A është çdo supozim i prokurorit? Reputacioni i keq i të hetuarit? Apo lidhja faktike midis veprimeve ose mosveprimeve të tij/saj dhe pasojës kriminale?
Kujtoj se Kodi i Procedurës Penale e lidh termin “dyshim i arsyeshëm” me shprehjen “bazuar në prova”, pra në shumës: “prova”.
Atëherë, a do të ketë fjala “provë” një kuptim të dyfishtë, sipas vendimit të vitit 2011 të Gjykatës së Lartë dhe ligjit? Pra, a do të vazhdojmë të kemi “pak provë” për arrest dhe “provë të plotë” për gjykim, siç ndodh deri më sot?
6. Çfarë ka më shumë rëndësi në vlerësimin e arrestit me burg: rrezikshmëria teorike e veprës së supozuar apo rrezikshmëria e personit të dyshuar? Për çfarë kërkohet arresti: për të mbrojtur hetimet apo për të parandaluar shmangien e personit nga hetimi dhe gjykimi? Nëse është kjo e dyta, përse paraburgimi nuk konsiderohet dënim?
Ka edhe shumë çështje të tjera, por këto janë më kryesoret për debatin mbi arrestin me burg.
E përshëndes vendimin e Gjykatës së Lartë, pasi përbën një përpjekje të rëndësishme. Të paktën, ai ka rrëzuar “monopolin” e vendimit famëkeq nr. 7 të vitit 2011.
Megjithatë, mbetet ende shumë për t’u bërë. Sistemi i drejtësisë penale ka nevojë për ndërhyrje serioze, pasi në praktikë duket se është ndërtuar për t’ia lehtësuar punën prokurorit dhe për të vështirësuar rolin e gjykatave.
Në këtë pikë, ndërhyrja e ligjvënësit është e domosdoshme.
KOHA JONË SONDAZH

