FOTO/ Rama në Qatrom, ferma e mollëve lidh bujqësinë me shkencën dhe teknologjinë
Gjatë turit të takimeve në qarkun e Korçës, kryeministri Edi Rama u ndal edhe në Qatrom, ku inspektoi dhe prezantoi zhvillimet e një projekti që qeveria e cilëson si ndër më të rëndësishmit në rajon për bujqësinë, arsimin dhe inovacionin rural. Bëhet fjalë për “Fermën e dijes dhe agroturizmit të mollëve”, një investim i ngritur në një sipërfaqe prej rreth 37 hektarësh në zonën e Qatromit, në qarkun e Korçës. Projekti është konceptuar si një strukturë multifunksionale që synon të lidhë kërkimin shkencor me prodhimin bujqësor, duke u shërbyer njëkohësisht studentëve, fermerëve dhe zhvillimit të turizmit rural.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, prezantoi konceptin e “Ferma e Dijes”, e cila nuk është vetëm një bazë prodhuese, por edhe një qendër kërkimi shkencor, edukimi dhe inovacioni, e lidhur drejtpërdrejt me projektin e Polit të Dijes në Korçë dhe me Universitetin. “Ne e quajmë Ferma e dijes sepse ky është pjesë e konceptit më të gjerë që lidhet me polin e dijes. Është ferma, do jetë dhe pjesa e polit kreativ që do e shikjmë më vonë, të cilat janë si të thuash baza prodhuese, por baza prodhuese në praktikën reale që do t’i shërbejë pjesës së kërkimit shkencor dhe që lidhet me pjesën e universitetit, me gjithë konceptin e Polit të dijes që jemi duke zhvilluar në Korçë. Praktikisht këtu kanë përfunduar përfundimet e mbjelljes, sistemi i rrjetave, të gjitha janë me sisteme pikëzimi, me sistem të monitoruara dhe është pjesa tjetër që do jetë pjesa e ngritjes së kapanonit për linjat e përpunimit, ashtu si dhe pjesa e hapësirave për edukim, hapësirat për laboratore dhe për pjesën e research-it.” – shpjegoi Agolli.
Ferma është ndërtuar mbi parimet e “smart farming” dhe përfshin sisteme të avancuara teknologjike për monitorimin dhe menaxhimin inteligjent të prodhimit bujqësor. E gjithë sipërfaqja është e pajisur me sisteme moderne vaditjeje me pikëzim, rrjeta antibreshër dhe mekanizma të monitorimit në kohë reale, të cilat minimizojnë efektet e ndryshimeve klimatike dhe rrisin eficiencën e prodhimit. Në fazën e dytë të projektit do të implementohen stacione meteorologjike, sensorë inteligjentë në tokë dhe sisteme të integruara me inteligjencë artificiale, të cilat do të mundësojnë analizimin në kohë reale të parametrave të tokës dhe klimës, duke orientuar fermerët drejt vendimmarrjes më efikase për kultivimin dhe mbrojtjen e prodhimit.
Fermerët e përfshirë në projekt theksuan se varieteteve të zgjedhura për kultivim janë ato më të kërkuarat në tregjet e Bashkimit Europian, ndërsa një pjesë e kultivarëve janë rezistentë ndaj sëmundjeve, duke krijuar mundësi për prodhim organik dhe të qëndrueshëm. “Varietetet kryesisht që kultivohen në Bashkimin Europian, që janë më kërkuese për tregun. Njëkohësisht kemi vendosur dhe disa kultivarë të cilët nuk preken nga sëmundjet për të prodhuar në mënyrë organike” – tha një prej fermerëve.
Një tjetër element inovativ i fermës është integrimi i kërkimit shkencor me praktikën reale të prodhimit. Projekti parashikon ngritjen e laboratorëve, hapësirave kërkimore dhe ambienteve edukative, ku studentët dhe ekspertët do të kenë mundësi të zhvillojnë studime dhe eksperimente në kushte reale prodhimi.
Përveç dimensionit bujqësor dhe shkencor, “Ferma e Dijes” do të shërbejë edhe si destinacion agroturistik, me hapësira mikpritjeje dhe vizitash për turistët, duke krijuar një model të ri zhvillimi ekonomik lokal ku bujqësia, teknologjia dhe turizmi ndërthuren në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Në kuadër të projektit po ndërtohet gjithashtu një kapanon prej rreth 2400 m² për përpunimin dhe klasifikimin e prodhimit, si dhe për zhvillimin e produkteve me vlerë të shtuar, duke synuar krijimin e një zinxhiri të plotë prodhimi dhe përpunimi.
Përfaqësuesit e projektit theksuan se ky model synon të nxisë edhe bashkëpunimin mes fermerëve përmes krijimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, ku shteti do të ketë rol aktiv si partner dhe garant për zhvillimin e sektorit. “Ferma e Dijes dhe Agroturizmit të Mollëve” përfaqëson një shembull konkret të transformimit të bujqësisë shqiptare përmes teknologjisë, inovacionit dhe dijes, duke krijuar një model të ri zhvillimi që e afron Shqipërinë me standardet më të avancuara europiane të prodhimit bujqësor.
KOHA JONË SONDAZH







