Mbappe kundër Haaland, Botërori 2026 përgatitet për “përplasjen e titanëve”
“Botërori 2026” ka qenë deri tani skena e yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror, por vëmendja tani është përqendruar te një duel që shumë e konsiderojnë rivalitetin e ri të epokës moderne: Kylian Mbappe kundër Erling Haaland.
Franca dhe Norvegjia do të përballen në ndeshjen e fundit të Grupit I, në atë që po cilësohet si “përplasja e parë e titanëve” në këtë Kupë Bote. Të dyja kombëtaret kanë siguruar tashmë kualifikimin për në fazën me eliminim direkt, por sfida pritet të ketë rëndësi të madhe për prestigjin dhe garën individuale për “Këpucën e Artë”.
Ndërsa Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo po luajnë ndoshta Botërorin e fundit të karrierës së tyre, Mbappe dhe Haaland konsiderohen si dy sulmuesit dominues të brezit të ri. Të dy janë futbollistët e vetëm në Evropë nën moshën 30-vjeçare që kanë kaluar shifrën e 250 golave në karrierë, duke u shkëputur ndjeshëm nga rivalët e tjerë.
Megjithëse rivaliteti i tyre nuk ka marrë ende dimensionet e përplasjes historike Messi-Ronaldo, fakti që luajnë në kampionate të ndryshme nuk e ka penguar krahasimin e vazhdueshëm mes tyre.
Mbappé ka fituar më shumë tituj kampionë në nivel kombëtar dhe zotëron tashmë një Kupë Bote me Francën. Nga ana tjetër, Haaland ka triumfuar në më shumë kompeticione ndërkombëtare për klube dhe ka fituar edhe trofeun e shumëdëshiruar të UEFA Champions League, që ende mungon në koleksionin e francezit.
Në Botërorin aktual, të dy kanë shkëlqyer. Mbappé ka vazhduar të thyejë rekorde me Francën, ndërsa Haaland ka realizuar katër gola në dy paraqitjet e para të Norvegjisë në turne, duke hyrë në histori si një nga debutuesit më produktivë të shekullit. Me dy gola kundër Irakut, Mbappé arriti kuotën e 16 golave në 16 ndeshje të Botërorit, duke iu afruar rekordeve historike të kompeticionit.
Haaland, ndërkohë, vazhdon të mahnisë me efikasitetin e tij. Sulmuesi norvegjez ka një mesatare golash për ndeshje që konsiderohet ndër më të mirat në historinë e futbollit ndërkombëtar.
Edhe statistikat me kombëtaret janë mbresëlënëse. Haaland ka shënuar 59 gola për Norvegjinë, vetëm një më pak se Mbappé me Francën, por me plot 48 ndeshje më pak të zhvilluara.
KOHA JONË SONDAZH

