FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Negociatat, Yzeiraj: Brenda 2026-ës, mbi 29% e të ardhurave në raport me PBB-në nga përmirësimi i eficiencës

Shqipëria po avancon me përmbushjen e detyrimeve në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Kapitullin 16 “Tatimet” dhe Kapitullin 29 “Doganat”, ku prioritet mbeten përafrimi i legjislacionit, ngritja e sistemeve teknike dhe forcimi i kapaciteteve administrative, ndërsa një nga pikat përmbyllëse është edhe ratifikimi i traktatit për ndalimin e tregtisë së paligjshme të duhanit.

Kështu u shpreh zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, gjatë raportimit në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme për ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Yzeiraj sqaroi se dy kapitujt përfshijnë një numër të madh detyrimesh, ku Kapitulli 16 përmban 16 kritere, ndërsa Kapitulli 29 kërkon miratimin e një sërë aktesh ligjore dhe zhvillimin e sistemeve që do të komunikojnë me administratat e vendeve të Bashkimit Evropian.

Swiss Digital Desktop Reklama

I pyetur për masat kundër korrupsionit dhe rritjen e integritetit në administratën tatimore, Yzeiraj u shpreh se, “në kriterin ekonomik do të udhëheqim zbatimin e një sërë masash për rritjen e integritetit në të gjitha zyrat e administratës, të lidhura me miratimin dhe zbatimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, e cila synon krijimin e qëndrueshmërisë fiskale, uljen e pasigurisë dhe rritjen e të ardhurave përmes rritjes së eficiencës, jo nga rritja e taksave”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai bëri të ditur se objektivi është që “në vitin 2026 Shqipëria të ketë mbi 29% të të ardhurave në raport me PBB-në, të mbledhura nga përmirësimi i eficiencës së administrimit të të ardhurave”.

Lidhur me barrën fiskale në sektorin e bujqësisë, zëvendësministri tha se qeveria po punon për zbatimin e masave lehtësuese në përputhje me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian.

“Nëse kjo nuk do të jetë e mundur brenda kuadrit ligjor të BE-së, do të lehtësojmë ngarkesën tatimore përmes mekanizmave të tjerë. Rimbursimi në masën 10% për fermerët është një nga masat që po zbatojmë në konsultim me Komisionin Evropian”, u shpreh ai.

Sa i përket partneriteteve publike-private, Yzeiraj theksoi se kuadri ligjor është rishikuar për t’u përafruar me standardet evropiane.

“Projektet që kërkojnë partneritet publik-privat duhet të kalojnë të njëjtat filtra dhe standarde si në vendet e Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

Duke folur për sektorin e bujqësisë, Yzeiraj vlerësoi se fragmentarizimi i tokës mbetet një nga sfidat kryesore, ndërsa nënvizoi se qeveria prej më shumë se një viti po zbaton skemën e garancisë sovrane.

“Skema garanton 70% të kredive për sipërmarrësit në bujqësi, për aq kohë sa investimet realizohen në fermë dhe synojnë rritjen e prodhimit. Deri tani janë disbursuar rreth 8 milionë euro dhe kjo skemë do të vijojë edhe me fondet e Bashkimit Evropian, si një parapërgatitje për funksionimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit”, tha ai.

Yzeiraj shtoi se promovimi i procesit të integrimit te bizneset dhe rritja e konkurrueshmërisë së tyre mbeten elemente kyçe, ndërsa Ministria e Financave ka rol koordinues në zbatimin e reformave të lidhura me negociatat e anëtarësimit në BE.

ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?