Policia e Shtetit me rregulla të reja, drejtori merr të drejtën e emërimit të drejtuesve
Ndryshimet e fundit në ligjin për Policinë e Shtetit forcojnë ndjeshëm kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm, duke i dhënë atij më shumë autoritet në drejtimin dhe menaxhimin e strukturës policore.
Projektligji, i propozuar nga deputeti socialist Bujar Rexha dhe i miratuar në seancën plenare të 23 korrikut, parashikon që drejtori i përgjithshëm të vijojë të zgjidhet përmes konkursit. Pas përfundimit të mandatit, ai do të ruajë gradën “Drejtues i Parë” dhe do të ketë mundësi të angazhohet në funksione të tjera, si këshilltar, pedagog në Akademinë e Sigurisë ose oficer kontakti.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me emërimet në nivelet drejtuese të Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm do të ketë të drejtën të emërojë dhe të shkarkojë drejtuesit e komisariateve dhe të drejtorive vendore, pa zhvillimin e konkurseve, kompetenca që do të hyjnë në fuqi pas dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës.
Ndryshime janë bërë edhe në procedurën e përzgjedhjes së drejtuesve të departamenteve. Drejtori i Përgjithshëm do të propozojë kandidatët, të cilët më pas do t’i paraqiten ministrit të Brendshëm për miratim. Gjithashtu, mandati i drejtuesve të gjashtë departamenteve është reduktuar nga katër në tre vjet, me mundësi rikandidimi.
Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, mazhoranca argumenton se këto ndryshime synojnë të eliminojnë vonesat e shkaktuara nga procedurat burokratike, të cilat kanë ndikuar negativisht në eficiencën operacionale dhe administrative të Policisë së Shtetit, si edhe në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve.
KOHA JONË SONDAZH

