
Bayern Munich do të jetë pa shërbimet e Joshua Kimmich për ndeshjen e sotme ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve. Mesfushori gjerman nuk do të jetë pjesë e skuadrës për shkak të një fatkeqësie në familjen e tij.
Përballë kësaj situate të vështirë personale, trajneri Vincent Kompany i ka dhënë futbollistit kohën e nevojshme për t’u përballur me dhimbjen, duke e lënë jashtë listës së lojtarëve të grumbulluar për sfidën e rëndësishme evropiane.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi bavarez përmes një njoftimi në kanalet e tij zyrtare, ku njëkohësisht është kërkuar respektimi i privatësisë së lojtarit dhe familjes së tij.
Njoftimi i Bayern Munich
“Për shkak të një zie në familje, Joshua Kimmich nuk është grumbulluar për ndeshjen e sotme kundër Arsenalit. Në emër të familjes, kërkojmë që privatësia dhe dhimbja e tij të respektohen, si dhe të shmangen pyetjet e mëtejshme dhe artikujt mediatikë mbi këtë çështje.
I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta Joshua Kimmich dhe njerëzve të tij të dashur”, thuhet në deklaratën e klubit.
Bayern Munich nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me ngjarjen, duke kërkuar që futbollistit t’i lihet hapësira e nevojshme në këtë moment të vështirë.
