
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi sot se Policia e Shtetit po punon për identifikimin e të gjithë personave që kanë ushtruar dhunë ndaj efektivëve të policisë, si dhe ndaj pronës publike e private gjatë protestës.
Në një deklaratë për mediat, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Demo tha se autoritetet po analizojnë një sërë burimesh informacioni dhe pamjesh për të identifikuar personat e përfshirë në aktet e dhunshme.
“Ne kemi, dita-ditës, raste që janë të identifikueshme edhe kur protestuesit kanë fshehur fytyrën me maskë. Policia e Shtetit është shumë e qartë për sa i përket detyrës së saj për të sjellë para Prokurorisë personat që kanë ushtruar dhunë gjatë protestës”, tha Demo.
Sipas ministrit, në dispozicion të Policisë janë edhe pamje të siguruara nga burime publike, të cilat dokumentojnë episodet e dhunës.
“Përmes teknologjisë do të bëjmë të mundur identifikimin më të shpejtë të këtyre personave. Dua të garantoj të gjithë qytetarët se Policia e Shtetit po punon për të vënë para drejtësisë ata që kanë cenuar pronën private dhe publike”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme.
