
Interi ka aktivizuar klauzolën e njëanshme për zgjatjen e kontratës së Federico Dimarcos deri në vitin 2028. Përveç vazhdimit të bashkëpunimit, marrëveshja parashikon edhe një rritje të ndjeshme të pagës së mbrojtësit italian, i cili do të përfitojë 5 milionë euro në sezon.
Ky është vetëm hapi i parë i zikaltërve, pasi drejtuesit e klubit synojnë ta mbajnë Dimarcon në Milano edhe përtej vitit 2028.
Sipas raportimeve, palët pritet të ulen së shpejti në një takim për të diskutuar zgjatjen e mëtejshme të kontratës. Një takim mes drejtuesve të Interit dhe përfaqësuesve të futbollistit është tashmë në planet e klubit.
Në “San Siro” e konsiderojnë Dimarcon një element të rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës dhe synojnë të sigurojnë vazhdimësinë e tij për disa sezone të tjera.
Mbrojtësi italian është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Interit, ndaj klubi kërkon të shmangë çdo pasiguri rreth së ardhmes së tij. Objektivi është i qartë: të dyja palët duan të vazhdojnë së bashku.
